/14/04/2020// “Kodi Penal i Shqipërisë ka një vakuum ligjor lidhur me karantinën, ndryshe nga shumë vende të tjera të botës. Për të garantuar hapjen e jetës pas pandemisë, është shumë e nevojshme që të kemi nene të caktuara që penalizojnë shkelësit”, deklaroi sot Kreu i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Ulsi Manja.

I pyetur se pse bëhen ndryshime kaq të forta në Kodin Penal, kur mbi 99% e popullsisë i ka zbatuar të gjitha masat, Manja tha se, “jam dakord që shqiptarët i kanë zbatuar masat, por dinamika e përhapjes së virusit na tregon se pikërisht kjo pakica e vogël e pandërgjegjshme, ndaj të cilës nuk japin efekt masat e ndërmarra deri tani, lipset që për ta garantuar këtë hapjen graduale të jetës pas pandemisë në Shqipëri”.

Manja tha se, “është shumë e nevojshme që të kemi në Kodin Penal nene të caktuara, që penalizojnë veprime ose mosveprime të caktuara të kësaj pakice të pandërgjegjshme njerëzish, që rrezikojnë seriozisht përhapjen e sëmundjeve infektive dhe dëmtimin rëndë të jetës së shqiptarëve. Me këtë që po bëjmë po plotësojmë këtë vakuum që kemi në Kodin Penal”.

I pyetur se cili vend perëndimor i ka bërë këto ndryshime, Manja tha se, “janë studiuar modelet e Italisë, Kroacisë, Danimarkës, Spanjës, Gjermanisë, Belgjikës, Austrisë, Hungarisë, Malit të Zi dhe Kosovës, që i ka bërë këto ndryshime në vitin 2018”.

“Masat e dënimit variojnë nga gjobë, deri në 10 vite burg, kur infektimi me dashje ka çuar deri në vdekje të personit, por modelet që kemi marrë në studim e kanë me masa penale”, shtoi Manja.

Manja tha se, “ne jemi të hapur për të riparë masat e dënimit dhe opozita është e ftuar për propozime. Në finale, është momenti që secili të japë kontributin për t’u bërë gardian i jetës përballë kësaj gjëme që na ka rënë përsipër”.//R-SR///