/02/05/2020//

– Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero deklaroi se deri tani kanë përfituar nga dy paketat financiare të qeverisë 132 347 individë, nga të cilët 58 900 përfituan nga paketa e parë dhe 73 447 individë nga paketa e dytë.

Në një prononcim për ATSH-në, zëvendësministrja Vjero tha se nga paketa e parë kanë përfituar 35 300 biznese, ndërsa 3400 biznese që plotësojnë kriteret dhe duhet të aplikonin nuk kanë aplikuar ende.

“Këtyre tatipaguesve u është dërguar një njoftim elektronik për të aplikuar nga ana e administratës tatimore, ndërsa iu është lënë një afat kohor deri të martën më 5 maj që të aplikojnë për të përfituar “pagën e luftës” për të punësuarit e tyre”, deklaroi Vjero.

Për sa i përket paketës së dytë financiare, Vjero tha se pranë administratave rajonale tatimore vijojnë aplikimet për ta përfituar bonusin prej 40 mijë lekësh.

“Janë dy paketa financiare të cilat adresojnë tatipaguesit dhe të punësuarit e tyre, të ciltë u prekën në punën e tyre nga masat e qeverisë për të frenuar përhapjen e infeksionit COVID-19.Ne parashikonim që në paketën e parë se do kishim 60 mijë individë që do të humbnin vendin e punës, ndërsa në paketën e dytë parashikojmë të përfitojnë 176 mijë individë të prekur nga masat shtrënguese“, theksoi Vjero.

Zëvendësministrja Vjero tha se ndihma financiare e qeverisë parashikon mbështetjen për një periudhë rreth 3 mujore, ndërsa ka filluar lehtësimi i masave shtrënguese për shumë aktivitete e individë që ju mundësion atyre rikthimin në aktivitetet e tyre.