/30/04/2020/- Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj i ngarkuar për të menaxhuar situatën financiare gjatë koronavirusit ka deklaruar se qeveria nuk ka ndërmend të ulë pensionet ndërsa theksoi se ka pensionet suplementare për ish-politikanë që marrin shumëfishin e shifrës që merr një qytetar i thjeshtë.

“Ne nuk kemi ndërmend të prekim pensionet e askujt, por ne sapo i rritëm dhe do vazhdojmë t’i rrisim. Pastaj ka pensione suplementare dhe ka ish dhe ish ish-deputetët që marrin 4-fishin e asaj që merr një familje normale.

Sa i përket ndihmave financiare mjafton të shkosh në terren dhe të shohësh kush është ndihmuar. Sa i përket paketave duhet të jemi të vërtetë me qytetarët. Kemi 2.45 mld lekë për Ministrinë e Shëndetësisë. Kemi paketën e parë ku janë shërbyer bizneset e mbyllura me urdhër të qeverisë 6.5 mld lekë.

7 mld lekë për bizneset e mbyllura. Rritje e investimeve 2 mld lekë, zero tatim fitimi për biznesin e vogël. Të gjitha vendet e rajonit kanë ndjekur të njëjtën strategji”, u shpreh Ahmetaj/R-SR///