Isabel Santos, eurodeputetja dhe raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian deklaroi sot se vendimi për hapjen e negociatave me Shqipërinë është plotësisht i merituar.

“Ndërsa përqendrimi tani është në menaxhimin e krizës COVID-19, puna për reformat duhet të vazhdojë”, u shpreh Santos në intervistën e saj për “European Western Balkans”.

Që nga vendimi për të hapur negociatat e pranimit, Shqipëria dhe pjesa tjetër e Europës janë marrë me urgjencën e pandemisë globale që lidhet me virusin COVID-19.

EWB: Kur bëhet fjalë për masat kufizuese të prezantuara gjatë pandemisë, shpesh thuhet se duhet të merret parasysh proporcionaliteti. A po mbani nën vëzhgim proporcionalitetin e masave kufizuese në Shqipëri dhe a do ta përfshini atë në raportin tuaj?

Santos: Unë po ndjek situatën në Shqipëri duke u përpjekur të gjurmoj çfarë është bërë sa më mirë që të mundem, duke ndjekur lajmet dhe raportet për vendin. Kam pasur një vizitë të planifikuar për muajin prill, që për shkak të kufizimeve të udhëtimeve nuk do të mund të bëhet. Është një kohë shumë e vështirë për të gjithë dhe unë jam shumë e vetëdijshme që disa masa janë më të vështira për t’u përballur dhe për t’u zbatuar, sesa disa të tjera.

Është e rëndësishme që të gjithë të bashkëpunojmë për të ndihmuar në luftën kundër këtij virusi në një mënyrë proporcionale. Masat kufizuese që janë vendosur në të gjithë Europën mund të shihen si një kufizim për demokracitë dhe liritë civile, por, siç e keni përmendur në pyetjen tuaj, faktori më i rëndësishëm është proporcionaliteti.

Në Shqipëri masat kufizuese dhe ato që janë akoma në fuqi janë në përputhje me ato të vendosura në disa vende, përfshirë edhe në vendin tim. Unë e di që në Kodin Penal nuk është parashikuar krimi i përhapjes së sëmundjes dhe se ka qenë e nevojshme të bëhet një ndryshim në atë instrument juridik.

Unë, gjithashtu, e di se përkundër disproporcionit të propozimit të parë, me kontributin e të gjithë palëve të interesuara, është arritur një zgjidhje në përputhje me atë që ekziston në vendet e tjera.

Në vendin tim, parashikohet aplikimi i gjobës ose burgimit deri në tre vjet.

Gjithashtu, e di se janë vendosur disa masa për të lehtësuar jetën e njerëzve gjatë kësaj periudhe, si dyfishimi i pagesave të ndihmës sociale ose heqja dorë nga dënimet për faturat e dritave.

Për mendimin tim, ishte pozitive edhe zhvendosja e fondeve shtesë nga mbrojtja te ndihma humanitare.

Autoritetet shqiptare vepruan në kohën e duhur dhe falë përdorimit të masave të përmbajtjes dhe disiplinës së jashtëzakonshme të popullit shqiptar, ato arritën të parandalojnë një evolucion eksponencial të shpërthimit të COVID-19.

Jam e bindur se, si në vendet e tjera, këto masa do të vlerësohen hap pas hapi duke marrë parasysh evolucionin e numrave dhe këshillave shkencore.

Shpresoj që gjithçka të kthehet shpejt në normalitet dhe të gjithë të mund të rikthehemi në rutinat tona të përditshme.

Por kjo gjë kërkon edhe shumë kujdes, sepse ende nuk ka vaksinë dhe ne nuk mund t’ia hapim derën një shpërthim të ri.

Përsa i përket raportit tim, gjithçka që besoj se ka rëndësi, do të jetë një pjesë e tij./