/06/04/2020/ I njohur si babai i kriminologjisë shqiptare, Prof.Ismet Elezi festoi sot 100-vjetorin e tij të lindjes. Përmes një postimi në twitter, deputeti socialist Fatmir Xhafaj i cili ka qenë dhe kryetar i Komisionit të Posaçëm për ndryshimet Kushtetuese thekson se Prof. Elezi është Shkencëtari, pedagogu, juristi i shkëlqyer, edukator & shembull frymëzimi për sa e sa breza juristësh në këtë vend.

“Një lajm i bukur sot. Prof.Ismet Elezi mbushi plot 100 vjeç. Një shekull! Një jetë! Shkencëtari, pedagogu, juristi i shkëlqyer, edukator & shembull frymëzimi për sa e sa breza juristësh në këtë vend.
Për 10 vjet Sekretar Shkencor i Universitetit të Tiranës, që nga krijimi i tij. Njeriu që konsolidoi shkencën e së drejtës penale në këtë vend, që krijoi & drejtoi prej 20 vjetësh Byronë Juridike në qeveri, mbi 50 vjet pedagog, autor i dhjetra teksteve, librave dhe punimeve shkencore. Faleminderit & Urime Profesor! Sa me fat ishim që patëm pedagogë si ju”, shkruan Xhafaj.

Kush është Profesor Ismet Elezi

Profesor Ismet Elezi lindi në Fterrë (Bashkia Himarë) më 5 prill 1920. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe i mbaroi në Piqerras. Ka përfunduar Liceun e Tiranës (1942 ) dhe më 1943 filloi studimet e larta në Firence të Italisë, të cilat i ndërpreu në kushtet e luftës.

Nga korriku i vitit 1943 mori pjesë aktive në rininë antifashiste në Kurvelesh. Në vitet 1946-1951 kreu studimet e larta për drejtësi në Leningrad ( Shën Petërburg – Rusi). Po në këtë qytet kreu studimet pasuniversitare (1957-1960).

Gjatë viteve ka mbuluar detyra të ndryshme brenda kuadrit të profesionit në kodifikimin e Ministrisë së Drejtësisë (1951-1952); Prokuror Kasacioni pranë Gjykatës së Lartë (1952-1955); Sekretar Shkencor i Institutit të Shkencave (1955-1957), Sekretar Shkencor i Universitetit të Tiranës, që nga krijimi i tij (1957-1966). Nga viti 1966 deri në vitin 1985, ka kryer detyrën e Kryetarit të Byrosë Juridike në Këshillin e Ministrave në përgatitjen e legjislacionit shqiptar.

Ka drejtuar Katedrën e të Drejtës Penale në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës për shumë vite. Për rreth 50 vjet ka punuar si pedagog. Gradën shkencore “Doktor” e ka marrë në vitin 1961, kurse titullin “Profesor” më 1972. Ka dhënë kontribut të çmuar në fushën e të drejtës penale dhe politikës penale. Njihet si “babai” i Kriminologjisë pasi është i pari që ka futur në këtë fakultet leksione në lidhje me këtë lëndë.

Ka krijimtari të gjerë shkencore që përfshin shumë fusha të së drejtës penale, ku mund të përmendim tekste në lidhje me të drejtën zakonore apo me zhvillimin historik të së drejtës penale, tekste të së drejtës penale qoftë pjesa e përgjithshme qoftë pjesa e posaçme, tekste të politikës penale, disa prej të cilëve në bashkëpunim me autorë të tjerë.

Ka botuar artikuj të shumtë shkencorë dhe ka marrë pjesë në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në vitin 1998, Qendra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh (Angli) e ka shpallur “Njeriu Ndërkombëtar“ në Shkencë dhe biografia e tij është botuar në Fjalorin Ndërkombëtar të Biografive.

Ka udhëhequr një numër të madh studentësh në tema diplome, masterash e disertacionesh dhe ka drejtuar komisione për mbrojtjen e tyre.

Ka dhënë një ndihmesë të çmuar në hartimin e legjislacionit penal shqiptar dhe në veprimtaritë e Fondacionit për Zgjidhjen e Konflikteve dhe Pajtimin e Mosmarrëveshjeve, si anëtar i bordit të tij./R-SR/