Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi mbrëmjen e se henes se “opozita ka detyrën të evidentojë problemin, të propozojë rrugët e daljes si dhe të mbështesë, të inkurajojë çdo qëndrim qytetar, qoftë ky i biznesit të vogël, i grupeve të tjera të interesit, i kryefamiljarëve që kemi parë gjithë këto ditë që çohen për bukën e gojës”.

Gjatë një interviste televizive, Basha tha se “momenti ku kemi ardhur është tepër kritik. Nuk bëhet fjalë më thjesht për rrezikun e pandemisë, por mbi të gjitha për të luftuar pandeminë ekonomike, sepse vendi tani po lëngon”.

Ai tha se “konsumi ka rënë në pikiatë, fuqia blerëse ka rënë në pikiatë. Pra pandemia ekonomike, gjendja e ekonomisë është sot shqetësimi ynë kryesor si opozitë”.

Basha tha se “opozita nuk është për të bërtitur. Ka ikur koha e opozitave që bërtisnin. Ka ardhur koha e një opozite që formulon qëndrime, kundërshton padrejtësitë, denoncon aferat, jep alternativën. Këtë opozitë duan qytetarët sot, këtë opozitë udhëheq unë”.

“Opozita që ulërinte nga maja e kokës nuk ekziston më. Atyre që u vjen keq u kërkoj falje, s’ka më opozitë që ulëret. Ka opozitë që ngre zërin kundër padrejtësisë, ka opozitë që denoncon, ka opozitë që proteston dhe ka bërë protestat më të fuqishme që ka parë Shqipëria në 30 vite. Opozita në vitin 2020, opozita shqiptare i ka dhënë shqiptarëve prova të qarta se ne udhëhiqemi nga interesi i tyre, – tha Basha, duke shtuar se, – nuk kemi interesa as të një grushti njerëzish, as të ardhjes dhe zënies së disa karrigeve”.