-“Zhytja e biznesit të vogël në këtë situatë është parathënie e zhytjes në krizë ekonomike, ndaj gjithë vëmendja jonë duhet të jetë te pandemia ekonomike që po i zë vendin pandemisë COVID-19″, tha sot kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në një prononcim për gazetarët, pas takimit me përfaqësues të Shoqatës së Biznesit të Vogël.

Basha tha se biznesi ka nevojë për një paketë të qartë masash që të ndihmojë në hapjen graduale sipas protokollit të sigurisë.

Ai tha se biznesi i vogël po vuan masa të tjera arbitrare të ndërmarra kuturu siç është masa e faturës afrofe të energjisë e cila shkon me vlerën e marsit 2019, te biznese që kanë 6 javë që kanë mbyllur qepenin.

“Pra në vend që të ndihmohet siç kanë bërë të gjitha vendet e tjera të rajonit, siç po  ndihmon Kosova, Maqedonia e Veriut, biznesi vogël shqiptar po përballet me vështirësi të jashtëzakonshme të shkaktuara nga shteti. Ndërkohë paratë e taksave të shqiptarëve vazhdojnë të shkojnë për oligarkët. Paratë e taksave të shqiptarëve shkojnë kudo vetëm jo aty ku ka nevojë sot, tek njerëzit në nevojë, tek biznesi i vogël, tek mbështetja për ata që po humbin vendet e punës”, tha ai.

Sipas Bashës, situata është dramatike pasi biznesi nuk po ndihmohet, por po zhytet.

“Situata është dramatike, ndaj ne mbështesim kërkesat e biznesit të vogël. E njohim dhe e kemi ndjekur para dhe pas pandemisë dhe po vazhdojmë ta ndjekim në kushtet kur nga njëra anë pretendohet mbështetje me fjalë, e nga ana tjetër biznesi vetë po denoncon se asnjë mbështetje nuk ka”, tha Basha.