/07.04.2020// / Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi te henen rëndësinë e kryerjes së testeve në ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të epidemisë së koronavirusit.

“Ka një logjikë fare të thjeshtë. Ne duhet të kemi informacion sa më të saktë për gjendjen. Nëse testimet tona mbeten më të ulëta, atëherë përmasat e infeksionit janë më të vogla se ato reale. Si mund të izolojmë pa testuar? Nëse ne nuk arrijmë dot të testojmë, do të zgjatet karantina, do të zgjaten efektet ekonomike, do të shtohet kostoja e jetëve të humbura, e shëndetësisë”, tha Basha në një intervistë televizive.

“I gjithë izolimi merr kuptim nëse kjo shfrytëzohet sa më shumë, duke nisur me mjekët, forcat e policisë. Shqipëria nuk mund të ketë më pak testime se Maqedonia e Veriut popullsia e të cilës është shumë më e vogël se e Shqipërisë dhe po të shikoni shifrat janë dëshpëruese. Në Maqedoninë e Veriut ka 5500 testime, në Shqipëri ka 2571 testime ndërkohë që situata në Maqedoni ka filluar të precipitojë shumë më mbrapa Shqipërisë. Ne po testojmë sot mesatarisht për çdo të infektuar, po bëjmë 4 testime, ndërkohë që mesatarja është 12”, u shpreh Basha.

Basha tha se, “ajo çfarë kemi kërkuar dhe ne, e tha edhe profesori gjerman. Ne po kërkojmë prej më shumë se 3 javësh testim maksimal për personat e ekspozuar dhe personat rreth personave të infektuar. Nëse nuk testojmë, ata menjëherë kthehen në bartës”.

“Me anë të testimit, duke ditur sa më shumë praninë e të infektuarve, ne ndërpresim zinxhirin e transmetimit. Nëse nuk e bëjmë këtë, ‘na rroftë’ distancimi social. I kërkoj kryeministrit të mos e harxhojë kohën me debat politik, as me retorikë dhe as me sulme. Jemi 2 herë mbrapa Maqedonisë së Veriut me testime. Një vend me 2 të tretat e popullsisë sonë ka 2 herë më shumë testime”, tha Basha.//R-SR//