25 prilli njihet në Itali si Dita e Çlirimit nga Nazifashizmi, por këtë vit është festuar ndryshe nga çdo herë tjetër. Që nga ajo kohë, Italia është vendosur sërish në një test të vështirë, për shkak të gjunjëzimit nga koronavirusi, që në fakt vuri në provë gjithë botën. Në këtë luftë çdokush ka sakrifikuar lirinë në emër të jetës dhe në këtë 25 prill në Itali pesha e lirisë ndihet akoma dhe më shumë.

Për të festuar këtë ditë, 7 artistë nga gjithë bota janë bërë bashkë për të kënduar “Bella Ciao”, kënga  simbol e lirisë dhe rezistencës italiane. Në këtë projekt është bashkuar edhe artistja shqiptare, Irma Libohova, e cila ka kënduar “Bella Ciao” nga shtëpia së bashku me 6 këngëtarët e tjerë: Tommaso Primo nga Italia, Guillem Rome nga Spanja, Samah Mustafa nga Palestina, Dewis Caldes nga Brazili, Georgios Strimpakos nga Greqia dhe Lay Ba nga Senegali.

Të bashkuar në një himn të rezistencës, 7 artistët e sollën këngën partizane në një version të ri, si simbol i luftës me një armik të panjohur si Covid-19. ”Është një këngë që paraqet rezistencën. 25 prilli është një ditë që duhet kujtuar dhe ne nuk duhet ta humbasim. Kjo është kënga jonë e lirisë. Italianët janë bartës të shëndetshëm të bukurisë dhe duhet të mësojnë të ruajnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe artistike. Ne duhet të mbështetemi edhe tek të tjerët”, është shprehur Tomasso Primo, ideatori i kësaj nisme.

Artistët e kanë kënduar secili këngën në gjuhën e tyre dhe Irma Libohova e ka sjellë në versionin shqip. Këngëtarja e njohur shfaqet e veshur kuq e zi, duke përcjellë çdo simbol shqiptar në këngë.