/12/04/2020//– Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen deklaroi se është shpresëplotë që një vaksinë kundër koronavirusit mund të jetë gati deri në fund të këtij viti.

”Dy nga ekipet më premtuese të kërkimit janë me qendër në Europë”, tha Von der Leyen për gazetën gjermane ”Bild am Sonntag”.

“Shpresoj që ata të zhvillojnë një vaksinë deri në fund të vitit”, pohoi ajo duke përmendur se ka plane për të filluar testet klinike së shpejti.

Sipas raportit të gazetës, Von der Leyen parashikon se kufizimet në vizitat në azilet e pleqve do të duhet të frenohen për shkak të koronavirusit.

“Pa vaksinë, kontaktet me qytetarët e moshuar duhet të kufizohen sa më shumë që të jetë e mundur. E di që është e vështirë dhe vetmia është shtypëse. Por, ka të bëjë me jetën. Ne duhet të qëndrojmë të disiplinuar dhe të jemi shumë të durueshëm”, tha Von der Leyen për ”Bild am Sonnntag”.

“Do të duhet të mësojmë të jetojmë me virusin për shumë muaj, ndoshta deri në vitin e ardhshëm”, theksoi ajo./ATSH-DPA/