/03/04/2020/  Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste televizive mbrëmjen e sotme ka nënvizuar se shërueshmëria nga COVID-19 në vendin tonë është 25% dhe është një ecuri fantastike. Kryeministri Rama gjithashtu theksoi se bonusi 1 000 euro do jetë vetëm për mjekët në vijën e parë të betejës, jo për të pjesën e mjekëve që nuk po luftojnë me COVID-19.

“Mjekët e infermierët në vijën e parë të zjarrit, krahas pagës do përfitojnë dhe 1000 euro më shumë. 500 euro më shumë krahas pagës, sanitarë dhe pjesa tjetër e personelit në vijën e parë të zjarrit. Jo të gjithë mjekët e infermierët, por ato që janë në vijën e parë të zjarrit, jo në Has apo tjetër vend”,- tha Rama.

Rama tha se spitalet private janë pjesë e strategjisë së mbrojtjes në këtë betejë, por jo sa i takon testeve.

“Së pari nuk  kemi nevojë për këtë ndihmë, për realizimin e testeve me tamponë në këtë moment. Spitalet private kanë shprehur gatishmërinë që në krye të herës dhe janë pjesë e strategjisë, po të vi nevoja për mungesë shtretërish”,- tha Rama.

“Testet bëhen në laboratore të ceritifikuar nga OBSH. Në këtë fazë nuk e kemi të nevojshme. Strategjia dhe kapaciteti ynë për të ndjekur dhe hetuar zinxhirin e hetimit është e plotë. Hetimi epidemiologjik është çelësi dhe ajo që po ndodh në Shkodër tregon se si realizohet ky hetim epidemiologjik, ku të gjithë personat janë kontrolluar dhe verifikuar dhe po hetohen kontaktet e tyre.”,- tha Rama.

“Ne kemi shërueshmërinë deri tani fantastike, 24-25% të të prekurve, vendet e tjera janë shumë më pak. Ne jemi më përpara se sa të tjerët në kohë. Në rajon erdhi më vonë vala e virusit. Kur nisëm ne, të tjerët s’kishin raste të shtuara, por grafiku te të tjerët po rritet me shpejtësi. Unë them çdo ditë inshallah, ose amin o Zot, të mos e bëjmë si popull, atë që kombëtarja jonë, ku në pjesën e parë duket sikur fitojmë dhe pastaj në pjesën e dytë duket sikur lodhemi dhe pastaj pësojmë ato golat në fund. Duke e njohur popullin tim duke e dashur shumë, s’dua që populli të harroj që kjo është luftë”,- tha Rama.

“Po ta shikonim në film këtë para dy muajsh, asnjë nuk e imagjinonte, kemi shumë pak të vdekur në krahasim me ç’mund të kshim se jemi mbrojtur shumë fort dhe shumë shpejt. Të tjerët mund të kishin më pak, por po të mos ishin mbrojtur sot do ishin zënë rrugët nga të vdekurit. 18 000 të vdekur ishte projeksioni në Shqipëri pa mbrojtje. E imagjinoni dot, ky është projeksioni. Epidemia në Europë dhe SHBA ka ndryshuar shumë nga ajo paradikma e fillimit, bazuar në statistikat e Kinës, që kjo prek vetëm më të moshuarit, patjetër që janë shtresa më vulnerabël, por prek dhe fëmijët e të rinjtë dhe i ka marrë edhe jetën. Ky virus ka dhe një problem tjetër të madh, që s’di si dilet përpara, që ky ndryshon natyrë, dhe rikthimi i tij në vjeshtë, është një  mundësi, ku  pritet të rikthehet dobët, por mund të rikthehet më fortë”,- tha Rama.

“Gripi Spanjoll nuk e bëri kërdinë në fillim, kërdia ishte rikthimi i gripit spanjoll, prandaj loja është komplet e panjohur, është një shah që e luan me një alien, jo një shahist tjetër përballë. Do krijojmë imunitet, nëse ju mbahet mend, ajo që bëri Boris Johnson të bëjë në fillim dhe humbi kohë në marrjen e masave, ishte ideja të izolojmë të më të moshuarit dhe ne të tjerët vijojmë jetën, do mësohemi që do na vdesin ca njerëz të dashur dhe tufa do imunizohet, sepse ideja imunizimit të tufës është baza… Dhe tani u mori masa për t’u mbyllur”,- tha Rama.

Rama tha se në një fazë të dytë mund të realizohen testime masive.

“E kisha te modeli hetimit të zinxhirit, në një fazë tjetër, kur fillon mendon të bashkëjetosh me virusin, se nuk ikën një ditë fikse, si 29 nëntori i dytë, por do kemi një fazë ku përgatitesh të bashkëjetosh, t’i përgatit bashkëjetesën me një testim më masiv.”,- tha Rama., -citon ATSH//R-SR//