/02/05/2020// –

Bypass-i në Tepelenë një nga investimet më të mëdha dhe strategjike të zhvilluara ndonjëherë në qytetin jugor të vendit, është drejt përfundimit.

Pas një pune të madhe për më shumë se një vit, bypass-i i Tepelenës, ose ndryshe e quajtur “Ballkoni i Jugut”, sjell një realitet të ri bashkëkohor në transformimin e infrastrukturës në hyrjen dhe daljen e qytetit të Tepelenës.

Bashkia Tepelenë bën të ditur se, ky investim, është në një nga pikat kryesore të rrugës nacionale që lidh rajonin e jugut me kufirin e Greqisë. Vepra infrastrukturore i shton bukurinë dhe rrit standardet urbane, krahas krijimit të mundësive për investime të reja në fushën e turizmit.

Bashkia Tepelenë ka publikuar foto të pamjes së re që do ketë qyteti në hyrje, ku shumë shpejt pritet t’i shtohet edhe një hotel, i cili zëvendëson atë aktual i njohur si, hotel Turizmi.

Ky është një investim i qeverisë, në vazhdën e projekteve të zhvillimit të infrastrukturës së vendit, që i  jep zgjidhje njëherë e përgjithmonë problemeve në këtë pjesë të rrugës me gjatësi 1.8 km, që shpesh ishte burim aksidentesh.

Bypass-i i Tepelenës lidh dy segmente të rëndësishme, Levan-Tepelenë dhe Tepelenë-Kakavijë, duke lehtësuar në këtë mënyrë qarkullimin me impakt zhvillimin e ekonomisë së zonës.

“Nuk përfundon me kaq. Të tjera surpriza të këndshme do të publikojmë në vazhdim, për të kuptuar se Tepelena tashmë ka hyrë në një rrugë të re dhe të pakthyeshme të historisë së saj të zhvillimit” citon njoftimi i bashkisë Tepelenë.