/ 1 prill /ATSH / Kryetari i PD-së Lulzim Basha i ka uruar shërim të shpejtë Dhimitër Krajës, doktorit që u rikthye pas 48 vitesh në repartin e Infektivit për të shpëtuar jetë njerëzish.

Basha shprehet se “asgjë nuk e ndali doktor Dhimitër Krajën të rikthehet pas 48 vitesh në repartin e Infektivit për të ndihmuar dhe shpëtuar jetët e pacientëve. Guximi, humanizmi, profesionalizmi dhe solidariteti njerëzor rrëzuan çdo pengesë, dhe e rikthyen atë në krah të kolegëve të tij, në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të bashkëqytetarëve nga virusi i rrezikshëm që e preku dhe atë vetë”.

Basha shton se sot nderojmë dhe vlerësojmë sakrificën e mjekëve dhe infermierëve që përballen me COVID-19.

“I uroj nga zemra doktor Dhimitrit shërim të shpejtë! Urime dhe lutje për shëndetin e tij burojnë nga zemra e çdo shqiptari. Sot si kurrë më parë nderojmë dhe vlerësojmë sakrificat e mjekëve dhe infermierëve tanë që përballen çdo orë me rrezikun dhe sfidat e vështira të shpëtimit të jetëve nga pandemia e COVID-19”, tha ai.-citon ATSH// R-SR//