/30/04/2020// –  “Masat e marra e kufizuan më së miri këtë kurbë të sheshtë që u kontrollua deri në këtë moment”, tha drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skendër Brataj në një nga mediet e vendit.

“Përgjithësisht Ballkani ka një infektivitet më të ulët se sa Europa dhe bota. Çdo virus që del krijon edhe shtamet ose mutacionet. Derisa nuk e kemi të faktuar, unë mendoj që është një faktor, por mendoj se masat e marra e ndikuan këtë kurbë”, u shpreh Brataj.

Brataj tha se, “ky virus vjen për herë të parë, nuk e njohim. Që ti të arrish imunizimin duhet të kalosh 70 apo 80 përqind, nuk është gripi që vjen çdo vit dhe kap 10%. Ne nuk e dimë akoma përfundimin e kësaj sëmundjeje, sa është vdekshmëria , kush është terapia, dhe nuk kemi një vaksinë”.

“Çdo shtet bën atë programin ose fazën 2 që e quajmë tani që nga Italia, Franca, Gjermania e të gjitha me radhë. Sot për shembull pashë që Franca shtyn afatin e hapjes së shkollave. Deklaroi që nuk do ti hapë deri në fund të qershorit. Kampionatin e Futbollit e bllokoi. Nuk do të luhet më ndeshje deri në shtator. Ajo që deklaroi kryeministri francez ishte se kjo mbyllje shpëtoi 62 mijë jetë njerëzish”, u shpreh Brataj.

Brataj tha se “patjetër që ka rënë fuqia e virusit sepse virusi ka një periudhë sezonale në të cilën ka rritje, maksimumin dhe uljen e virulencës.

Më tej, Brataj tha se “ne kemi hyrë në infeksionin e virusit më përpara se disa shtete. Për shembull, Rusia është në rritje, në tmerr është tani edhe Afrika që është 45% rritje , bota është e vogël tani dhe ne nuk duhet të shikojmë çfarë kemi në shtëpinë tonë sepse nuk na lindi në shtëpinë tonë, na erdhi nga jashtë . Rusia e kaloi Kinën, 87 mijë të infektuar. Praga ishte qyteti i parë që u zerua nga arresti i vetë Çekisë dhe sot po hap universitetet, po hap masat”./R-SR///