/ Kryeministri Edi Rama u bëri apel sot qytetarëve që të shmangin çdo dalje që nuk është bazike dhe e domosdoshme, ndërsa theksoi se nuk është koha për të dalë xhiro, për të bërë shëtitje dhe marrë diell duke lëvizur në rrugë, por  është koha për të kufizuar maksimalisht edhe lirinë e lëvizjes në këmbë.

Në një lidhje direkte me një studio televizive, Rama tha se “është e rëndësishme që të mos e harrojmë se virusi nuk përhapet nga ajri në kuptimin e mungesës së kontakteve, por përhapet nga kontaktet dhe ekspertët u këshillojnë qeverive që të bëjnë sa më shumë për t’iu shpjeguar njerëzve që nëse dalin në këmbë të ruajnë distancën dhe të mos prekin fytyrën me duar”.

“Do të ishte ideale të pengohej dalja e këmbësorëve deri në fund të ditës, por njerëzit duhet të dalin për të bërë pazaret dhe këtu askush, askund, as në Kinë, ku faktikisht është vendosur regjimi më rigoroz dhe është pak a shumë i njëjti regjim si sot në Shqipëri, me ndonjë përjashtim, nuk është ndaluar lëvizja e këmbësorëve për të bërë ato gjëra të zakonshme që janë jetike, si blerja e ushqimeve, ilaçeve apo ndonjë veprim tjetër i domosdoshëm”.

Rama tha se “nuk është qeveria dhe asnjë në botë që ndalon lëvizjen e këmbësorëve në 24 orë”. “Mund ta kufizoj por çdokush duhet të bëjë të vetëm. Kjo është një luftë që zhvillohet në front ku çdo qytetar ka segmentin e vetë dhe secili duhet të jetë në kuptimin e vërtetë të fjalës policia e vetvetes”, tha Rama.//R-SR///