/ATSH  /- Ish-deputeti i PD-së Tritan Shehu tha sot se ka një tendencë absurde që shkaku i humbjes së pacienteve me koronavirus të kërkohet të “mjegullohet” duke renditur një sërë diagnozash shoqëruese apo dhe moshën e tyre.

Shehu shtoi se “kjo është një manovër për t’u fshehur mbas shkaqesh shoqëruese për të shmangur analizën profesionale, apo dhe masat që duhen marrë për të përmirësuar gjendjen e strukturave mjekësore, gabim etik, një publikim të dhënash personale”.

Po ashtu Shehu tha se “n.q.s dikush ka diagnoza shoqëruese, mjekohet e është i ekuilibruar, të jeni të bindur se ai do të vazhdonte të jetonte gjatë po të mos ishte goditur nga ky virus, pra ai është viktimë pikërisht e tij. Sot koncepti i jetëgjatësisë ka ndryshuar në botën e zhvilluar. Gjendja imunitare mund të jetë e mirë të dikush me moshë te avancuar siç mund të jetë me probleme te dikush me një moshë me të re, pra mos të bëhemi shkak që të induktohen disa koncepte jo reale, demoralizuese për sistemin shëndetësor, selektivë e në fakt shoqërisht të rrezikshme. Humbjet edhe në këto raste kanë ndodhur nga “agresioni” viral, pa të cilin fatkeqi do të jetonte”.

“Detyra e një sistemi shëndetësor të zhvilluar është te luftojë për çdo individ, pa paragjykime, gjë që imponon detyrime etike e profesionale. Këto janë edhe politika shëndetësore, që ata që i drejtojnë duhet të kuptojnë se Shqipëria nuk mund të pranoje tashme koncepte të një bote të prapambetur. N.q.s do ta fillojmë kështu këtë “beteje” që në hapat e para të saj, “vaj medet” ku do të zhytemi nesër”, tha ai.//R-SR//