//ATSH /Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi ka reaguar sot në lidhje me thirrjen e OBSH për testimin e sa më shumë personave duke kërkuar qeverisë të zbatojë këkesën.

Albana Vokshi  thekson se po testohen pak të dyshuar dhe nuk respektohet kërkesa e OBSH.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) përsëriti thirrjen që Qeveritë të testojnë sa më shumë persona të dyshuar. OBSH thotë se kjo është mënyra e vetme për të ulur trendin e frikshëm të përhapjes së virusit COVID 19 në vende të ndryshme të botës. Fatkeqësisht, qeveria shqiptare nuk po i zbaton kërkesat e OBSH. Cila është situata në Shqipëri? Javën e fundit rastet e të prekurve janë rritur ndjeshëm por jo numri i testeve”, tha ajo.

Sipas saj, qeveria po ndjek rrugën e gabuar përsa i përket testimeve të njerëzve të dyshuar me COVID-19.

“Edi Rama po ndjek një taktikë të gabuar, duke kontribuar në përhapjen e virusit në një numër më të lartë qytetesh të vendit.  Duke mos i testuar, duke mos i gjurmuar rastet e dyshuara, trajtimi dhe izolimi i virusit është bërë më i vështirë. Pjesa më e madhe e personave të infektuar kanë shkuar në spital në gjendje kritike shëndetësore dhe në rrezik për jetën. Ajo që e bën edhe më alarmuese situatën është shtimi i rasteve të personelit mjekësor dhe stafit mbështetës spitalor. Kjo rikthen vëmendjen tek shqetësimi ynë kryesor se personeli shëndetësor është shumë i pambrojtur përballë  virusit tinëzar dhe agresiv. Në kushtet e rëndimit të situatës, ka ende një mundësi për të  ngadalësuar përhapjen e virusit e për të shpëtuar sa më shumë jetë: Qeveria të zbatojë në mënyrë rigoroze kërkesat e OBSH:, shprehet ajo.//R-SR///