Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi mbrëmjen e sotme se “nuk ka një diskutim konkret për prekjen e pagave apo pensioneve”.

“Nuk ka diskutim konkret për këtë çështje, çdo deputet është i lirë të bëj sugjerimet e tij. Do të ishim shumë të kujdesshëm të preknim pagat. Janë prekur disa paga për pjesën e titullarëve në formë vullnetare”, u shpreh ministrja.

Sipas saj, edhe në varësi të të ardhurave dhe një përshkallëzim negativ të situatës përsëri pagat do të ishin të fundit që do të vendosnim t’i preknim.

Më tej, ministrja Denaj theksoi se projektet e rindërtimit nuk do të preken, sepse rindërtimi, tha ajo, është jo vetëm mundësi për të larguar njerëzit nga çadra e shkolla për fëmijët, por edhe mundësi shumë e mirë për punësimin.

Duke iu përgjigjur pyetjes se a do të anulohen projektet e reja, ministrja Denaj tha se projektet e reja janë vetëm 6 miliardë lekë dhe ato u adresuan pas tërmetit dhe shkuan për të parandaluar në rast fatkeqësish natyrore të tilla si digat, që sa do t’i shkurtojmë, na duhen.

“Ka shpenzime buxhetore si dieta, udhëtime, shpenzime operative që preken. Sa u takon kontratave në zbatim, por edhe atyre me PPP po negociohet për ngrirjen e një detyrimi për vitin korent, pasi për kontrata të tilla si chek up, ajo e sterilizimit apo e laboratorëve, shumë nga kërkesat nuk materializohen në produkte reale”, deklaroi Denaj.