Mnistrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tha se qeveria po diskuton një paketë që do t’i vijë në ndihmë edhe bizneseve të mëdha.

“Po diskutojmë një paketë të dytë, që i drejtohet bizneseve me numër të madh punonjësish, por nuk kam autorizim të flas për të. Po diskutohet dhe shumë shpejt do të njoftohet nga zoti kryeministër”, u shpreh Denaj.

Sipas saj, “Nuk po themi se fondi i garancisë është i vetmi instrument dhe ne e kemi mbyllur mbështetjen tonë për biznesin në përgjithësi dhe për biznesin e madh në veçanti. Ky është instrument tradicional, paralelisht me kompensimin me pagat minimale për një fashë biznesesh dhe që mund të përshkallëzohet në një formulë tjetër, dhe mbi të gjitha për ato industri me numër të madh punonjësish dhe që mund të riorganizohen si sektorë të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit gjatë këtij viti”.

Sipas saj, qeveria është gati për një rishikim buxheti të dytë.

“Në kushtet kur paketa e dytë ekonomike, që mund të akomodojë një numër më të madh personash të papunë, apo ndihma ekonomike e cila i është dhënë shtresave në nevojë, janë elementë që morën rëndësi në paketën e parë. Duke pretenduar që do të masnim edhe jetëgjatësinë e kësaj situate, do të dalim brenda prillit me një situatë të rishikuar, duke menduar që disa aktivitete do të rihapen”, tha Denaj.

Denaj theksoi “Ne kemi bërë një rishikim të rritjes në aktin normative në 2%  dhe jemi të hapur të shikojmë se si do të shkojë. FMN-ja parashikon edhe recesion, por ne mendojmë se po të kalojmë shpejt këtë situatë mos të shkojmë drejt recesionit, por mendojmë që do të ketë ngadalësim edhe më të vogël se 2%, por në fillim të qershorit mund të japim shifër konkrete”./ATSH/ R-SR//