Kryeministri Edi Rama njoftoi sot në mbrëmje lajmin e mirë se një prej pacientëve të shtruar me COVID 19 është drejt shërimit.
“Një lajm i mirë. Kontakti i parë i pacientit zero që kurohet në spitalin infektiv doli negativ në testin e parë. Nëse edhe në testin e dytë pas 48 orësh ky rezultat do të konfirmohet, atëherë do të kemi të shëruarin e parë”, – thekson Kryeministri
“Të presim dhe të lutemi që zoti t’u japë forcë të sëmurëve dhe heronjve me bluza të bardha, në vijën e zjarrit me armikun. Durim, besim dhe durim, durim, durim! I Love you”, – thekson Rama.
Edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka dhënë lajmin e mirë se pacienti i parë i identifikuar me koronavirus, është drejt shërimit.
“Lajm i mirë”, – thekson Manastirliu. “Pacienti i parë që nis rrugën e shërimit nga COVID-19. Rezulton negativ kontakti i parë i pacientit zero që u identifikua me koronavirusin e ri në Shqipëri. Do të kryhen testime të tjera për të monitoruar gjendjen e pacientit! Bravo ekipit të spitalit infektiv”, – tha Manastirliu.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta e ka cilësuar si të jashtëzakonshëm këtë lajm, duke shpërndarë njoftimin e Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
“I emocionuar nga ky lajm i jashtëzakonshëm! Duke i uruar pacientit 0 shërim të plotë, shpresoj të marr së shpejti të njëjtin lajm për të gjithë të prekurit nga kjo pandemi, të cilëve iu shpreh mbështetjen dhe solidaritetin tim në këto momente të vështira!”, ka theksuar presidenti Meta, ndërsa shpreh “mirënjohje të thellë dhe falenderim për mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës që janë në vijën e parë të frontit!”