Universiteti Luarasi po zhvillon mësimin online prej rreth një muaji dhe të gjithë studentët dhe pedagogët janë të angazhuar. Kështu deklaroi Rektori i Universitetit Luarasi Ethem Ruka në një lidhje ‘live’ me News24, ku foli për procedurat që po ndiqen dhe suksesin e këtij procesi mësimor online.

Ruka tha se në fillim ishin të papërgatitur por falë edhe fakultetit të Teknologjisë së Informacionit u arrit shumë shpejt të përgatitej platforma elektronike.

“Ashtu si të gjitha shkollat e larta dhe sektorët e shoqërisë që u ngrinë në një moment të caktuar më 9 mars, kështu ndodhi dhe me Luarasin. U ndodhëm në një situatë të papërgatitur, menduam se do zgjaste pak por ja që ditët kalonin dhe si rektorat u mblodhëm dhe vendosëm ta kalojmë mësimin online. Nuk ka qenë e lehtë, ka dashur një punë të madhe. Fakulteti i teknologjisë së informacionit përgatiti platformën elektronike për kushtet e universitetit tonë për 1400 studentë që janë shpërndarë në shtëpitë e tyre. Në fillim përvoja nuk ishte e lehtë, ka qenë e vështirë. Në radhë të parë për të punuar me pedagogët me modele se si duhet të futeshin në këtë sistem dhe më pas për studentët që do bëheshin pjesë e sistemit”, deklaroi Ruka.

Ai shpjegoi se mësimi vijon në orarin klasik. “Në qoftë se ditën e hënë ka pasur 3 leksione do vijojë me 3 leksione. Janë përdorur të gjitha format e mësimit online. Përgatitja e materialeve, pytësorëve. Të gjithë format e mundshme i kemi provuar. Jemi shumë të kënaqur që numri i studentëve erdhi duke u rritur dhe tani janë angazhuar pothuajse të gjithë”, theksoi Ruka.

I pyetur për reagimin e studentëve për të metodë të re mësimore, rektori i Luarasit tha se mësimi vijon normalisht dhe se edhe provimet do të jenë online.
“Nëse vazhdon kështu edhe provimet do jenë online. Tani mund të them që janë angazhuar totalisht pedagogët dhe studentët. Procesi ka qenë një proces gradual. Është një proces me të vërtetë shumë-shumë i suksesshëm. Në fund të çdo dite, raportohet për mësimin online. Nuk ka qenë e lehtë por do ta konsideroja një formë të suksesshme. Jam i bindur që në javët në vijim, uroj mos të zgjasë kjo situatë por nëse do të vazhdojë, mësimi tek Luarasi vazhdon normalisht. Uroj që kjo formë të vazhdojë dhe në universitetet e tjera. Për Luarasin e them me siguri që suksesi është goxha i madh”, theksoi Ruka.

Ish-ministri i Arsimit e përshëndeti këtë nismë dhe nga ana e MAS dhe tha se është e vetmja formë që të mund të vijojë mësimi.
“Pa asnjë dyshim që e mbështes sepse nuk ka asnjë formë tjetër alternative për të vepruar. Më vjen mirë që Ministria e Arsimit ka qenë goxha aktive për të transformuar mësimin. Kemi nipat tanë që ndjekin shkollën online dhe e bëjnë me seriozitet, kjo është për t’u vlerësuar. Sistemi për mendimin tim ka funksionuar, me të meta mbase por nxënësit janë në shkollë”, deklaroi Ruka.