Nga Roland Bejko

Me Ilir Metën më kanë ndarë bindiet politike, por shpesh herë dhe qasja dhe sjellja ndaj pushtetit, politikës, biznesit, shoqërisë, etj.
Por, përtej kësaj unë kam patur gjithmonë një vlerësim të lartë për zotin Meta për faktin se si i’u imponua politikës si lider duke ardhur nga një origjinë familjare e pa lidhur me bllokun komunist.
Tek ai shikoja modelin që edhe pse mund të vish nga periferia, me këmbëngulje, pasion dhe besim gjithkush, në çdo fushë, mund t’ja dalë të arrijë diçka të rëndësishme në ambiciet dhe karrierën e tij.
Por me kalimin e viteve, për kohën e gjatë në politikë si Kryeministër, Kryetar i Kuvendit dhe tani si President është bërë padyshim pjesë dhe një nga aktorët kryesorë të establishmentit.
Ti bie shkurt. Si qytetar, me skepticizëm, por e përkraha kauzën që shpalli së fundmi për mbrojtjen e Kushtetutës që po përdhosej rregullisht nga Kryeministri i vendit, Edi Rama, madje u bëra thirrje edhe miqve të mi të merrnin pjesë në tubimin e 2 marsit.
Dyshoja se do ishte vërtet siç e deklaronte, megjithëse besoja se kushdo e ka të drejtën ta kapërcejë vetveten, të shkuarën e tij me histori konjukturash e pazaresh në dëm të parimeve dhe shpesh edhe të ligjeve, për të çelur një etapë të re me tjetër moral të ushtrimit të politikës.
Por sot, kur Presidenti dekretoi ndryshimet e Kodit Penal që cënojnë demokracinë, liritë dhe të drejtat e njeriut për ti dhënë legjitimitet sundimit të Edi Ramës, si dhe justifikoi tërheqjen e Shqipërisë nga dy nene të Kartës Evropiane të të Drejtave të Njeriut me pretekstin e situatës së jashëzakonshme të pandemisë, më lindi pyetja:
Për çfarë u desh dhe kujt ju ul në gjunjë në 2 mars në “Bulevardin Dëshmorët e Kombit”, Presidenti i vendit tim?
Post Scriptum: ky është tërësisht qëndrimi dhe mendimi im si qytetar, dhe s’ka të bëjë fare me qëndrimin e forcës politike ku unë aderoj.