/01/04/2020//ATSH/ Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që “të mos shkelin rregullin për të dalë vetëm një person nga shtëpia, përjashtuar ata që shkojnë në punë, për të cilët kuptohet se është autorizimi tjetër dhe nuk ka problem”.

Gjatë komunikimit me qytetarët përmes kanalit urgjent në “shqiperiaqeduam.al”, Rama u kërkoi qytetarëve që të respektojnë rregullat, pasi në të kundërt do të gjobiten.

“Aplikacioni për të dalë është plotësisht funksional. Tani kemi detyrim të zbatojmë rreptësisht ligjin. Nesër Policia nuk mund të sensibilizojë, por do ndëshkojë”, tha ai.

“Unë punoj në Tiranë, por banoj në Durrës. Shkoj përditë në Tiranë sot duke u kthyer nga Tirana me ndaloi një polic. I nxora lejen e punës online, ai më kontrolloi lejen në telefon dhe konstatoi e më tha që je jashtë orarit. Më bllokoi patentën dhe lejen e qarkullimit”, iu ankua një qytetar kryeministrit.

“Pa merak do të merrem vetë me këtë punë, për ta sqaruar se ata që kanë leje për punë nuk mund të penalizohen, kur nuk ka arsye, sepse ke qenë duke u kthyer”, iu përgjigj Rama.

Që prej ditës së djeshme, qytetarët përmes “e-Albania” do të mund të marrin leje për daljet nga shtëpia për pazar, vetëm një person për familje.

Ata qytetarë, që nuk kanë mundësi të aplikojnë në internet, mund të dërgojnë një mesazh të thjeshtë në numrin: 55155 me tekst: Numri i kartës së identitetit, hapësirë dhe orën e daljes.//R-SR//