Petrit RUKA

LETRA E MBESËS PËR GJYSHEN

E dashur gjyshja ime e shtrenjtë,
U bë një muaj që më mungojnë puthjet dhe përqafimet e tua për shkak të këtij virusit të mallkuar. Unë nuk e di çfarë është ky virus kaq i tmerrshëm, po mami thotë që është një gabim i të mëdhenjve dhe pritet që po ata ta rregullojnë këtë punë. Shkolla u mbyll dhe mbeta brenda. Mua më ka marrë malli për të gjithë, por më shumë për ty. Dhe ti nuk vjen dot, se siç thotë dhe mami, ti je më e rrezikuara për shkak të moshës. Më vjen të plas që këtë vit ne nuk dolëm bashkë jashtë qytetit për të mbledhur luleshqerrat e para, të cilat ti m’i bënë kurorë dhe më shpall çdo vit mbretëreshën tënde. Çdo vit ky ka qenë çasti më i bukur i jetës sime, ai momenti kur ti me duart e tua plot rrudha e damarë të zinj m’i vendos lulet mbi flokë, më puth në ballë e më thua; tani vrapo mbretëresha ime!
Po nuk ka gjë, o gjyshe, mos u mërzit! Rri brenda!
Kur mendoj se mund të të humb ty, nuk dua të jem më mbretëreshë në jetë të jetëve.
Nuk dua fare!
Ç’e dua unë kurorën e mbretëreshës pa ty? A ka mbretëresha pa mbretëri? Ti je mbretëria ime!
Po të të kem ty, unë kam gjithë botën.
Dhe mos u bëj hiç merak për mua. Dhe… se mos qash kur ta lexosh këtë letër, se për kokën tënde do të mërzitem shumë.
Le të durojmë. Prapë do të vijnë prille të tjerë!
Të lutem ruhu, ruhu shumë.
Të puth me mall,

Mbretëresha jote!