Nga Edmond Tupe

Të mërkurën që shkoi, me sa mbaj mend, në njërën prej shfaqjeve të tij të panumërta televizive (nuk e di përse, çuditërisht, fjala “televizive” më kujton fjalën “tezgë”), kryeMinistri Ramaukujtoi shqiptareve dhe shqiptarëve lojën e maces me miun në kuadrin e luftës (siç shprehet ai) kundër koronavirusit në Republikën e Shqipërisë së karantinuar dhe, njëherazi, të karakatinuar e të karikaturuar.

Me karizmin që e karakterizon, ai shpjegoi taktikën që duhet të ndjekim ne, minjtë, përballë maces mizore të koronavirusit për të mbijetuar e për të mos rënë pré e saj, e thënë ndryshe, për të dalë nga vrima ku fshihemi vetëm për të gjetur ushqim njerëzish dhe jo për t’u kthyernë ushqim macesh.

Po të kishte qenë gjallë sot e kësaj dite La Fontaine-i,fabulisti i famshëm frëng i shekullit XVII, i cili ka shkruar një sërë fabulash pikërisht me mace e me minj, sigurisht që do të më ishte lutur ta përktheja në shqipe fabulën e tij “Macja dhe Miu plak” sepse ajo i përshtatet më së miri situatës së sotme jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë rruzullin tokësor. Ja krejt përmbledhtas përmbajtja e fabulës në fjalë: Një mace po bënte kërdinë midis minjve, më keq se çarqet, më keq edhe se ilaçi kundër tyre; rrjedhimisht, minjtë e gjorë nuk guxonin të dilnin nga vrimat dhe po ngordhin për të ngrënë.

Papritmas,një ditë u erdhi lajmi se dikush e kishin varur macen, prandaj minjtë,të gëzuar, u derdhën përjashta: Vërtet që macen e kishin varur bythëpërpjetë në traun e tavanit të shtëpisë. Të gjithë minjtë u mblodhën poshtë asaj, qeshnin duke premtuar se do t’i hidhnin valle mbi varr. Mirëpo, macja, që ishte kapur vetë me putrat e pasme te trau, lëshohet mes minjve dhe bën kërdinë. Pas disa kohësh, ajo vendos t’u luajë një rreng tjetër minjve të trembur, por edhe të uritur: Futet në një magje të hapur dhe mbulohet me miell. Minjtë bëhen gati të hanë miell, por një mi plak, që dikur kishte lënë bishtin në gojën e asaj maceje, i paralajmëron të mos i afrohen asaj gunge me miell! Dhe La Fontaine-i nxjerr përfundimin se përballë vdekjes dinake duhet të dyshosh për gjithçka!

Sidoqoftë, tëmërkurën që shkoi, kryeMinistri Rama, nga mënyra si e paraqiti lojën e maces me miun, më bëri të mendoja se ai nuk ia di mirë kuptimin që ka – jo vetëm në gjuhën tonë – shprehja “të luash me dikë si macja me miun” ose, rrjedhimisht, edhe togfjalëshi “loja e maces me miun”: Në fakt, është macja që luan me miun pasi e ka kapur për ta ngrënë dhe jo miu me macen! Kështu që, rrjedhimisht e për pasojë të pashmangshme, ne, të kërcënuarit nga koronavirusi, nuk luajmë me kodiv-19-n, përkundrazi, luan ky i fundit me ne!

Më vjen keq për kryeMinistrin Rama, por po e përsëris atë që ia kam vënë tashmë në dukje të paktën një a dy herë në shkrimet e mia të kësaj rubrike të përjavshme: Kur ai nuk është në gjendje të argumentojë diçka, atëherë nxiton, sigurisht me njëfarë mjeshtërie, të bëjë krahasime, mirëpo “Comparaison n’est pas raison”, pra, “Të krahasosh nuk do të thotë të arsyetosh”, siç na mëson Blaise Pascal-i, filozof frëngi shekullit XVII. Le ta vërë vath në vesh kryeMinistri Rama këtë aforizëm disashekullor nëse dëshiron të jetë bindës.

Tani, le të mëlejojnë lexueset dhe lexuesit e mi të nderuar që të thellohemi një çast në këtë dobësi të theksuar të kryeMinistrit Rama për krahasimet, çka bie në sy (për ata që kanë sy) dhe në vesh (për ata qëkanë veshë) edhe në debatet apo intervistat e tij televizive (Çudi, s’po më ndahet fjala “tezgë”!). Përvoja oratorike e shumë personaliteteve botërore ndër vite ka treguar se krahasimi vlen kur vjen pas arsyetimit ngaqë e bën atë më të kuptueshëm, ashtu si edhe batuta (të cilën kryeMinistri Rama e adhuron) që duhet të vijë pas argumentit për ta përforcuar atë dhe aspak për ta zëvendësuar.

Më konkretisht, duke u nisur nga shprehja “të luash me dikë si macja me miun” ose nga togfjalëshi “loja e maces me miun” në gojën dhe mimikën e kryeMinstrit Rama, del qartë se minjtë jemi ne, vdekatarët e zakonshëm, të rëndomtë, anonimë, kurse koronavirusi është Macja, apo jo?

Në këtë hallkë të arsyetimit tim, më lind vetvetiu një pyetje krejt e padjallëzuar, e dëlirë, e virgjër dhe krejt e pafajshme: Po ai, kryeMinistri Rama, në cilën anë të barrikadës e radhit vetveten, me ne, minjtë e shkretë, apo me Macen, d.m.th. me koronavirusin? Logjikisht, nëse është në anën tonë, atëherë ai është mi, si gjithë ne të tjerët, aq më tepër që edhe ofiqi i tij përmban rrokjen “mi”, veçse me “M” të madhe, siç e kam shkruar me respekt të veçantë sa herë që e kam përmendur në këtë shkrim.Megjithatë, më bren një shqetësim:

Duke vënë re që, si në rrugë para disa javësh, kur iu vërsul asaj qytetares plakë duke i qëndruar fare pranë, thuajse mu në fytyrë, pa mbajtur maskë e pa doreza, për ta qortuar ashpër se kishte dalë jashtë shtëpisë, ashtu edhe më vonënë Kuvend, ku foli pa maskë e pa doreza ndryshe nga deputetët që kishin edhe maska, edhe doreza,duke vënë re, pra, këto hollësira, u habita se si nuk kishte fare frikë nga kovid-19-a, kështu që, me të drejtë, druaj se mos ka bërë, sigurisht padashje apo në mënyrë të pavetëdijshme, ndonjë marrëveshje me zonjën Korona dhe zotin Virus, që të përfitojë statusin e dyfishtë edhe të Miut, edhe të Maces! Prandaj, u sugjeroj lexueseve dhe lexuesve të mi të ndjekin këshillën e La Fontaine-it në fabulën e lartpërmendur, sipas së cilëspërballë vdekjes dinake duhet të dyshosh për gjithçka!