/30/04/2020/-Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu prezantoi planin e hapjes dhe lehtësimit të masave që do të hyjnë në fuqi që nga data 4 maj.

“Jemi në një moment shumë të rëndësishëm dhe përcaktues për vijimin e situatës epidemike në vend. Nga vlerësimi i vazhdueshëm i të dhënave epidemiologjike, konstatohen ende vatra aktive infeksioni në disa zona të vendit, ku po punohet intensivisht nëpërmjet testimit dhe gjurmimit agresiv të kontakteve për të kufizuar përhapjen e COVID-19”, tha Manastirliu.

Sipas saj, strategjia e rihapjes e hartuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, parashikon disa faza të lehtësimit të ngadaltë dhe të kujdesshëm të masave shtrënguese.

Ministrja e Shëndetësisë informoi se në “zonën e gjelbër” përfshihen edhe ato të 18 bashkive të tjera në vend që konsiderohen me risk të ulët për përhapjen e infeksionit.

“Nga data 4 maj do të përfshihen si zona të gjelbra bashkitë: Tropojë, Rrogozhinë, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, Ura Vajgurore, Kuçovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Devoll, Pustec, Maliq, Mallakastër, Kolonjë, Vlorë, Selenicë”, bëri të ditur Manastirliu.

Duke theksuar se ky vendim është marrë në përputhje me ecurinë e kurbës epidemiologjike dhe indikatorëve të sistemit shëndetësor, si dhe duke u bazuar në nivelet e riskut, Manastirliu tha se “zonat e gjelbra” do të kenë të njëjtat rregulla të lëvizjes dhe fashave orare tashmë të përcaktuara për këto zona.

Sipas këtyre rregullave pensionistët në këto zona mund të lëvizin nga ora 6:00 deri në 8:30 të mëngjesit, ndërsa qytetarët e tjerë mund të lëvizin nga ora 9:30 deri në 17:30 të shoqëruar me jo më shumë se një person. Përjashtim bëjnë qytetarët që kanë autorizim pune, të cilët nuk kufizohen nga këto orare.

Rregullat përfshijnë dhe mjetet private të transportit që do të lejohen të qarkullojnë me autorizim vetëm brenda qarkut ose bashkisë përkatëse nga ora 9:30 deri në 17:30 vetëm me një pasagjer. Përtej orarit të caktuar mund të qarkullojnë vetëm mjetet që kanë autorizim nga “e-Albania”.///

https://ata.gov.al/2020/04/30/manastirliu-prezanton-planin-e-masave-te-reja-nga-e-hena-ne-zonat-e-gjelbra-perfshihen-edhe-18-bashki/