Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka prezantuar sot në Këshillin e Sigurisë një projektligj të ri për “Policinë e Shtetit” i cili synon të lirojë nga radhët e saj efektivët mbi moshën 55-vjeç dhe ata mbi peshë, jo në formë të mirë fizike.

Lleshaj ka thënë se policët mbi 55-vjeç që do largohen nga shërbimi aktiv, do trajtohen me gjysmën e pagës neto dhe do angazhohen herë pas here nga Policia sipas nevojave për të mbushur një total prej 700 orësh punë në vit.

“Nga radhët policisë të largohen ose me kërkesën e vetë punonjësit të policisë ose me vendim të autoriteteve drejtuese të saj punonjësit e policisë që kanë mbushur moshën 55 vjeç, ose që kanë plotësuar 30 vite shërbim në radhët e policisë. Sot ne kemi në nivelin bazë të policisë oficerë që janë mbi 50-vjeç, në gradat e ulëta, në gradat, nën komisar, grada inspektorëve, që janë 60 vjeç. Synimi është që të preket kjo fashë e gradave, njerëz që janë në terren, njerëz që duhet se s’bën të lëvizin. Pas largimit nga radhët e policisë, këta punonjës të shtetit parashikohet të trajtohen financiarisht me 50% të pagës neto”, deklaroi Lleshaj.

Ministri Lleshaj, bëri të ditur se kjo nismë ka si synim për të reformuar forcat e rendit dhe për të përmirësuar moshën mesatare në këtë strukturë.

Ministri i Brendshëm tha më tej se: “qëllimi i këtij projektligji është të adresojë kryesisht çështjen e moshës në Policinë e Shtetit. Për të përmirësuar moshën mesatare të Policisë së Shtetit duhet që për ata të cilëve ju duhet të largohen prej radhëve të saj për arsye moshe, t’u garantohen kushtet e një jete dinjitoze”.

Megjithatë, ligji për policinë e shtetit i ka të përcaktuara qartë dispozitat se kur mund të lirohet nga detyra një efektiv i forcave policore. Në nenin 46 pika 2 shkronja b ndër të tjera thuhet se punonjësi i policisë mund të lirohet nga puna kur “deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor, sipas ligjit”.

Rregullorja e policisë gjithashtu i kërkon forcave të policisë të mbajnë një formë fizike optimale, gjë që kërkohet që në Akademinë e Policisë. A është prania e policëve mbi peshë në detyrë, një arsye për të ndryshuar ligjin?

Sa i përket qëllimit për të rregulluar moshën mesatare të forcave të policisë, ata si të gjithë punonjësit e tjerë të shërbimit civil në Shqipëri janë subjekt i Kodit të Punës i cili i garanton qëndrimin në punë deri në moshën e daljes në pension dhe i jep të drejtë të tërhiqen me kërkesë të tyre. Pra nëse mosha nuk është kriter në kryerjen e disa detyrave në forcat e policisë mos ndoshta diskriminimi me bazë moshe do të vendoste një precedent për kategorinë e punonjësve të shërbimit civil? Nisma të tilla mund të ndërmerren në sektorë të ndryshëm duke nxjerrë kështu ‘jashtë loje’ punonjësit në moshë dhe me më shumë eksperiencë për t’i zëvendësuar me djem e vajza të reja.

Nga ana tjetër policët e qarkullimit rrugor nuk kanë në detyrën e tyre veprimin në raste rreziku, por veprimet e tyre janë të natyrës më shumë procedurale. Nëse referenca “kryejnë shërbim në vende të dukshme” është për ta dhe atyre do t’i ndalohet të janë mbipeshë ose me bark kjo mbetet një çështje me natyrë estetike e cila nuk mund të ndikojë në efiçenën e punës së tyre dhe aq më pak në karrierën dhe të ardhurat e tyre. Nëse mosha dhe pesha janë kriter suksesi në Policinë e Shtetit, atëherë ndoshta duhen parë kushtet e pensionit per këtë kategori./Opinion.al