/30/04/2020// – Prej orës 10:00 po vijon seanca e Kuvendit. Për të tretën herë seanca zhvillohet në një gjendje të fatkeqësisë natyre. Ashtu sikurse edhe dy seancat e tjera të zhvilluara, deputetët duhet të jenë të pajisur me maska dhe doreza, të shpërndarë në të gjithë sallë me qëllim ruajtjen e distancimit social. Seancën e kaluar deputetët shkelën rregullat, gjë që bëri që kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi t’u tërhiqte vëmendjen, teksa kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla shkoi më tej duke kërkuar që Kuvendi të mbyllej.

Seanca e kësaj të enjtje do jetë e ngjeshur me një sërë cështjesh që priten të miratohen. Një prej tyre është buxheti i ndryshuar për vitin 2020, që lidhet me paketën e dytë financiare dhe shtimin në buxhet të 7 miliardë lekë në këtë buxhet për përballimin e situatës nga Covid-19.

Në këtë seancë priten të miratohet dhe falja e gjobave të vendosura deri më tani nga nga policia për këmbësorët dhe shoferët që thyen masat shtrënguese kundër përhapjes së koronavirusit falen nga qeveria. Gjithsej, janë 7107 gjoba për këmbësorët dhe 1941 gjoba për drejtuesit e automjeteve, që u rikthehen patentat dhe makinat e bllokuara për të nisur nga java e ardhshme si të barabartë pas futjes në fuqi të Kodit Penal.

Një tjetër pikë që do miratohet është dhe falja e qirave. Në aktin normativ nr 3 thuhet se -Të gjithë qiramarrësit, persona fizikë/juridikë, me të ardhura deri në 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë në vit, të cilët kanë kontratë noteriale qiraje për zhvillimin e aktivitetit të tyre ekonomik, të nënshkruar përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë nuk do ta paguajnë detyrimin e qirasë për dy muaj, prill dhe maj 2020.”

Por në axhendën e Kuvendit janë parashikuar edhe diskutimet e disa projektligjeve. Projektligji “Për lejet e mjedisit” do të jetë pjesë e diskutimeve. Miratimi i këtij projektligji do të mundësojë që për aktivitetet, të cilat kanë ndikim të ulët në mjedis dhe nivel të pallogaritshëm të shkarkimeve në mjedis gjatë operimit të tyre, të mos jetë më nevoja të pajisen me leje mjedisi të tipit C, procedurë që sjell për qytetarët dhe subjektet humbje kohe dhe kosto.

Ditën e djeshme u mblodh Konferenca e Kryetarëve, ku siç ka raportuar më herët Report Tv, Rudina Hajdari kërkoi më shumë kohë për të folur për deputetët e opozitës dhe  që në rendin e ditës të kishte më pak projektligje, pra që fokusi të ishte vetëm te situata e krijuar nga COVID-i. Por të dyja kërkesa janë rrëzuar, pasi kryetari i Kuvendit nuk i ka pranuar. Ndërkohë, deputeti do të bëjnë dy javë “pushim”, pasi Konferenca e Kryetarëve vendosi që javën e ardhshme nuk do ketë seancë plenare. Seancat parlamentare do të mbahen në datat 14 dhe 21 maj./R-SR///