Shqipëria ka dërguar 30 mjekë dhe infermierë në Itali për të ndihmuar vendin në këtë kohë të pandemisë së koronavirusit, që ka shkaktuar më shumë se 10 000 viktima dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, kujtoi se vendi i tij nuk mund të harrojë ndihmën dhe mikpritjen që iu ofrua shqiptarëve nga Italia, shkruan faqja e njohur spanjolle, eldiario.es.

“Është e vërtetë që të gjithë janë të mbyllur në kufijtë e tyre dhe vendet shumë të pasura i kanë kthyer shpinën të tjerëve. Ne nuk jemi të pasur, por nuk mund të mos i tregojmë Italisë se shqiptarët kurrë nuk e braktisin mikun e tyre në vështirësi”, shpjegoi Rama në një mesazh.

Kryeministri i qeverisë italiane, Giuseppe Conte iu përgjigj mesazhit të Ramës në rrjetet sociale me fjalën: “Faleminderit!”.

Gjatë viteve 1990, dhjetëra mijëra shqiptarë mbërritën në Itali me anije, pas rënies së diktaturës dhe aktualisht popullsia shqiptare në Itali është mbi 400 000 persona.

Ndihma e vogël shqiptare bashkohet me atë të dërguar nga Kina, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe një ekip mjekësor prej 52 personash të ardhur nga Kuba, përfundon eldiario.es.//R-SR//