Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi sqaron se fermerët dhe blegtorët nuk ndalohen të vijojnë aktivitetin e tyre teksa i gjithë vendi është në kushtet e karantinës.

Në një intervistë për Top Channel ai tha nga masat kufizuese të ndërmarra deri më tani s’ka pengesa për sektorin bujqësor.

Në asnjë nga urdhërat e nxjerrë qoftë nga ministrja përgjegjëse për këtë situatë apo nga Ministri i Brendshëm, nuk ka asnjë rresht ku të shkruhet që ndalohet çdo lloj veprimtarie që lidhet me prodhimin bujqësor, me shpërndarjen etj”, tha ministri Çuçi.

Sa i përket veterinërëve, ministri shpjegon se as për ta nuk ka pengësë në lëvizje. Për raste të jashtëzakonshme tha ai, veterinerët pajisen me një vërtetim për të shkuar tek fermerët që kanë nevojë emergjente. Deri më tani s’ka pasur asnjë problem.

Lidhur me eksportin e produkteve bujqësor, ministri u shpreh se për momentin nuk ka pengesa me disa përjashtime sporadike në momentet e para të karantinimit.

“Për transportin ka pasur probleme sporadike në fillim, por deri më tani të paktën, sepse askush nuk e di sa do të zgjasë kjo situatë me masa drastike karantinimi, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, eksporti i produkteve bujqësore vijon normalisht”, theksoi ministri Çuçi.

Në vijim të intervistës ai shtoi se s’ka pengesa as punëtorët nëpër ferma apo serra.

“Urdhërat e nxjerrë nuk e pengojnë këtë kategori që të shkojnë të punojnë në ferma dhe serra. Për këta punonjës s’ka kufizim karantinimi brenda orareve. Është porositur edhe Policia e Shtetit që për këtë kategori të mos kenë pengesa”, u shpreh Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.//