/23/04/2020//     Autoritetet policore italiane të Firences kanë arrestuar në flagrancë 42-vjeçarin shqiptari Erando Mara me akuzën e trafikut të drogës të tipit kokainë.

Me profesionin furnizues kafeje, ai përfitonte nga leja e lëvizjes së tij për punë, për të transportuar dhe furnizuar me drogë zona të ndryshme të Italisë.

Gjatë ndalimit nga autoritetet policore shqiptari është shfaqur mjaft nervoz, gjë që ka çuar në dyshimet e forcave të rendit për një kontroll të imët të auotmjetit të tij tip Toyota Corolla. Me ndihmën e qenve antidrogë nën sediljen e shoferit u gjet 3.5 kg kokainë e konfeksionuar në 3 pako e 1 kg tjetër u gjet e fshehur në një vend të modifikuar të makinës.

Shqiptari u vu në pranga me akuzën e trafikut të 4.5 kg kokainë e në banesën e tij në Faenza ku u sekuestruan 37 mijë euro para të thata si dhe 1,300 euro të tjera të cilat i kishte me vete në momentin e ndalimit.

Autoritetet policore italiane informojnë se 42-vjeçari shqiptar Erando Mara, ishte ndaluar nga policia rrugore dhe në ditën e Pashkëve për verifikim të motivit të lëvizjes së tij, por pa iu kontrolluar automjeti.