Nga Prof. Dr. Alqi NAQELLARI      

Në kushtet e Shqipërisë ndërhyrja e shtetit  në ekonomi është e kufizuar. E them këtë sepse të gjithë folësit në televizione, dhe në mënyrë të veçantë përfaqësuesit e partive politike, i drejtohen qeverisë që të marri masat përkatëse dhe “të zgjidhi litarin” e pagesave, taksave, detyrimeve, kompensimeve etj, etj,  a thua se qeveria ka çelësin e shpellës së thesarit -Hapu Susam-. Po të ishte kështu, se qeveria zgjidh gjithçka atëhere mjafton që qeveria të emetonte nja 40 miliardë lekë dhe t’ia ndante popullit për frymë. Kështu, do ishim në rregull dhe biznesi dhe ne, ha e pi si lalagjoni. Por nuk është kështu, qeveria nuk është çelësi magjik, qeveria ndikon në përmirësimin e situatës deri në në kufi të caktuar. Nëse kalon këtë kufi, atëhere në vend të mbaj situatën në kushte emergjence e çon atë në kolaps, si i themi popullorçe “në vend që të vër vetulla nxjerr sytë”. Ato para mund ta boshatisin tregun në 1 muaj, çfarë do bëhet pastaj se paratë nuk janë bukë të konsumohen.

Kështuqë qeveria para se të bëj planin e emergjencës të mbështetjes me para, të popullit dhe biznesit duhet të dijë sa janë rezervat e saj, dhe të biznesit në mallra ushqimore, për sa muaj, për sa vite? Sa është rezerva e valutës dhe sa mund të përdoret me efektivitet në kushtet e eksport-importeve të kufizuara, nga njera anë dhe në kushtet e ndryshimit të kursit të valutës nga ana tjetër.

Dikush mendon se duhet të printohen para për të përmirësuar situatën. Në këto kushte ky veprim do ishte vdekjeprurës për ekonominë sepse nuk kemi Ofertë të lartë dhe Kërkesë të ulët por kemi të kundërtën. Ky veprim mund të bëhej në rastin e tërmetit me mijerat e apartamenteve stok që ka Shqipëria por jo sot. Unë kam shkruar dhe i kam kërkuar Bankes Qendrore dhe qeverisë ta bëjnë këtë por sot jam absolutisht kundër këtij veprimi.

Këto janë kushte kufizuese që duhen marrë në konsideratë. Ky bllokim i ekonomisë nuk ngjan as me Depresionin e 1930 në USA dhe as me Recesionin global të 2008, ky bllokim nuk është ciklik, nga faktorë subjektivë por është goditje e Prodhimit nga faktorë objektiv që nuk parashikohet as masa dhe as koha e goditjes. Pikërisht në kohë normale duhen mbajtur rezerva ushqimore dhe të valutës, nuk duhet ecur me mendimin emo se nuk  na gjen gjë. E keqja nuk të vjen përditë dhe ti shmangesh, e keqja të vjen pa pritur dhe pa kujtuar, si tërmeti dhe Covid-19.Njerëzit, folësit në televizione dhe përfaqësuesit e partive politike që i kërkojnë me ngut qeverisë të ndërhyjë me mjete monetare dëgjojnë  dhe shikojnë se çfarë veprimesh bën SHBA, BE, Kina, Rusia dhe vende të tjera të botës. SHBA do japë çeqe një mijë dollarëshe, 2 mijë milliardë dollarë në dispozicion të biznesit, Gjermania 500 mld euro, Italia, Franca, Kina dhe Rusia gjithashtu. Këto vende të fuqishme, këto supershtete kanë rezerva ushqimore për vite të tëra. Kanë valutë që të jetojnë për vite të tëra pa punë.

Kështuqë Shqipëria nuk mund të krahasohet me asnjë prej tyre. Ne nuk duhet të nisemi se çfarë bën SHBA, çfarë bën Gjermania apo Kina, ne duhet të nisemi nga pyetja çfarë duhet të bëjmë ne me mundësitë që kemi, me rezervat që kemi? Ne u ndodhëm bosh kur ra tërmeti.