/ 3 prill/ ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “nëse ne hapim kufijtë dhe lejojmë kthimin në atdhe të gjithë atyre që duan të kthehen, ne nuk kemi më vend për të varrosur njerëz”.

Lidhur me hapjen e kufijve, Rama tha se “më vjen shumë keq, jashtëzakonisht keq, kur duhet t’u them bashkëqytetarëve tanë shqiptarë se nuk mund të vini dot në Shqipëri”.

“Kjo për një arsye sa të thjeshtë, aq edhe të çuditshme, sepse nëse ne hapim kufijtë dhe lejojmë kthimin në atdhe të gjithë atyre që duan të kthehen ne nuk kemi më vend për të varrosur njerëz, jo si në Bergamo, as në Iran, por shumë më keq se kaq. Vetëm për këtë, për asnjë arsye tjetër në botë. Dhe nuk mendoj se cilido prej jush që e keni këtë stres e vini në dyshim që ky është i vetmi qëllim”, tha Rama.

Duke iu drejtuar emigrantëve shqiptarë që janë jashtë, Rama tha se “duke ardhur ju vini në rrezik edhe të tjerët, vini në rrezik edhe veten”.

“Duke ndenjur aty ku jeni jetën e keni të sigurt, vuajtjet i keni të garantuar si gjithë të tjerët. Lufta nuk vjen që të na sjelli gëzim, por të na sjelli vuajtje. Kjo është Lufta e Tretë Botërore, nuk di se çfarë emri t’i vë kur shikon se NATO është kthyer në organizatë humanitare dhe të gjithë arsenalet ushtarake të botës janë në depo, se nuk i përdorin dot. Kjo është një luftë se asnjë armik tokësor nuk do të kishte mundur të mbyllte në shtëpi askënd”, tha Rama.

Ai tha se “rrugët do të hapen kur të arrijmë në konkluzionin që armiku është zbrapsur dhe nuk kthehet më”. “Mund ta hapim ne, por nuk e hap një vend tjetër. Jo të na kapë duke festuar dhe të bëjë kërdinë”, shtoi ai. /R_SR//