Nga Lutfi Dervishi

Një ditë para ardhjes së Vitit të Ri, një ditë pas tërmetit dhe (sidomos) gjatë pandemisë një fjali – premtim është në gojën e kujtdo: “ E nesërmëja do të jetë ndryshe!

U desh një “armik i padukshëm” që ky zotim të qëndrojë në mendjen e gjithëkujt më gjatë se në kohën e ndërrimit të moteve apo ngjarjeve të mëdha e të paparashikueshme si tërmetet.

Ndryshe nga momentet e tjera të reflektimit sot ka më shumë pyetje të detajuara për të nesërmen që do të jetë ndryshe: pyetjet nisin që tek sjellja sociale e deri te nevojat bazike, puna, familja, shkolla, banesa. çfarë duhet të ndryshojë? Sa duhet të ndryshojë?

Për disa pyetjet përgjigjet janë të qarta që sot, të tjerat si çdo gjë i qartëson koha.
është më mirë të jetojmë në qytet (kryeqytet) apo në zonat më pak të populluara?

Sot kjo duket pyetje retorike: më mirë larg “turmës”. Jo vetëm njerëzit, por edhe godinat kanë nevojë për distancim social

Si do të punojmë nesër? Puna nga shtëpia, puna në distancë aty ku është e mundur do të duhet të vijojë – një ditë punë nga shtëpia, ndoshta na përgatit më mirë që sot për të ardhmen dhe ekonominë digjitale.

Për të ardhmen digjitale duhet nisur nga shkolla. Edhe nesër një ditë në javë mësim nga shtëpia nuk shkakton asnjë dëm? Jo si kujtim për javët/muajt e pandemisë, por si mundësi për të reflektuar më shumë, për të lëvizur më pak dhe për të përqafuar më shpejt të nesërmen. Pandemia ka nxjerr në pah debatet për cilësinë e mësimit në distancë (on line). Prej më shumë se një dekade ekzistojnë modele mjaft të mira të mësimit on line (psh Khan Academy është e pranishme që prej 2008) Nuk duhet të shpikim rrotën, por mund të merret ky model apo modele të tjera të sukeseshme për t’i përshtatur për kushtet tona.

Revolucioni digjital na ka gjetur të pa përgatitur. (Flasim shpesh për revolucion, por duam që asgjë të mos ndryshojë). Jo çdo gjë, nesër do të bëhet online, por është e sigurtë që gjithnjë e më shumë do të jemi të varur nga bota on line dhe duhet të lutemi dhe të përgatitemi edhe për ditën kur virusi do të kërkojë të ndalojë jetën on – line.

Ndoshta do të duhet të nisim ndryshimin nga gjërat që sot na mungojnë më shumë.

A duhet të kemi kaq shumë bare-kafe dhe a do të duhet të kalojmë kaq shumë kohë në to? A do të duhet të lëvizim me makinë sa kemi lëvizur deri dje apo nesër duhet të lëvizim më shumë këmbëët dhe biçikletat?

Kjo fundjavë në Tiranë është edhe ilustrimi më i mirë i nevojës ulëritëse për ndryshim. A duhet që të ndalohet qarkullimi i makinave, mbyllja e dyqaneve dhe shërbimeve për të paktën një ditë në fundjavë dhe qyteti të respektojë njerëzit dhe jo makinat?

Atë që i bëjnë çdo ditë mushkrive 180 mijë makina me naftë që qarkullojnë në Tiranë nuk ja bën dot koronavirusi! Me ajrin e pastër si këtë fundjavë askush nuk ka nevojë të marrë malin e Dajtit për të befasuar mushkritë me oksigjen. Ne do të duhet të respektojmë një distancë (të shëndetshme me njëri -tjetrin) pyetja është a duhet që edhe ndërtimet reja – të kenë distancë më të shëndetshme mes tyre apo dashurinë për betonin nuk ka koronavirus që e lëkund?!

40 ditët që kaluam ishin periudhë testi, sprove, reflektimi. Nuk bëhet më fjalë për një tërmet që ka bllokuar jetën e disa qyteteve apo një vendi, por për një pandemi që ka bërë që bota të mbajë frymën pezull.

Në muajin mars debati ishte për jetën dhe vdekjen. Nga nesër debati ka nisur zhvendosjen për ekonominë dhe vdekjen. Vdekjen nuk e ndryshojmë dot. Por për ta mbajtur atë sa më larg jetës dhe ekonomisë do të duhet të ndryshojë “jeta” dhe “ekonomia”.

Nesër duhet dhe do të jetë ndryshe- përndryshe një virus i padukshëm do të na vizitojë dhe ne do ta luftojmë si sot me të njëjtën “monedhë”: duke u bërë edhe ne të padukshëm, duke u mbyllur nëpër shtëpi.