Nisur nga zhvillimet e javës së fundit, nga vlerësimi dhe analiza e të dhënave dhe situatën e epidemisë në vend, komitetit teknik i eksperteve ka hartuar strategjinë e rihapjes graduale dhe të kujdesshme për popullatën dhe shërbimet esenciale.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha sot se kjo strategji parashikon katër faza për lehtësimin gradual të masave, që lidhen në mënyrë të ngushtë me evoluimin e infeksionit COVID-19 dhe shkallën e përhapjes së tij.

“Do të tregohemi në çdo fazë shumë të kujdesshëm, duke vlerësuar kurbën epidemiologjike, shpërndarjen e vatrave të infeksionit, transmetueshmërinë e infeksionit si dhe përballimin nga strukturat spitalore të rasteve me simptoma të COVID-19”, tha Manastirliu në deklaratën për shtyp.

Duke filluar nga dita e hënë, bëri të ditur ajo, do të zgjerohet fasha e lëvizjes për qytetarët nga 90 minuta në 2 orë, duke ruajtur parametrat e sigurisë të distancimit social dhe duke zgjeruar mundësinë e kryerjes së shërbimeve thelbësore në një hapësirë kohore më të gjerë.

Ministrja tha se, të hënën më 27 prill do të lejohen të ushtrojnë aktivitet dyqanet e veshjeve, të tekstileve, të këpucëve dhe artikujve prej lëkure, dyqanet që tregojnë mobilje, pajisje të ndriçimit dhe artikujve shtëpiakë, dyqanet e luleve, bimëve, të kafshëve të shtëpisë dhe ushqimit të tyre në dyqane të specializuara.

Do të lejohen shërbimi taksi, dyqanet e pajisjeve elektronike, lodrave për fëmijë, pajisjet sportive, pajisjet e telekomunikacionit.

“Lista e plotë e bizneseve që hapen nga dita e hënë, gjendet e plotë në portalin e-Albania. Këto biznese lejohen të ushtrojnë veprimtarinë e tyre nga ora 05:00-17:30, vetëm duke plotësuar dhe zbatuar protokollet e miratuara, duke siguruar kushtet e detyrueshme higjieno- sanitare dhe respektimin e distancimit fizik, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe punonjësve”, deklaroi Manastirliu.

Ministrja shpjegoi se lista e protokolleve të sigurisë të përgjithshme dhe specifike, sipas klasifikimit të riskut për bizneset e sipër përmendura gjendet në portalin e-Albania dhe është e detyrueshme për çdo biznes të hapur.