Nga Dorian KOCI

Nipi i Ali Pashë Tepelenës: Ismail Rahmi Pashë Tepelena.

Jeta personale dhe e pasardhësve të Ali Pashë Tepelenës pati një interesim të madh që në momentet kur Ali Pashë Tepelena sundonte në territorin e tij të gjerë të pashallëkut të vet. Interesimi i udhëtarëve të huaj, diplomatëve dhe piktorëve gjendet në shumë udhëpërshkrime e tablo të kohës. Për udhëtarët e diplomatët e huaj vizita në Pashallëkun e Janinës ishte një kontakt me Lindjen ndaj diskursi që zotëron në tekste është një diskurs orientalist dhe penelat në tablo janë penelata reflektive të konstrasteve të thella që reflektojnë dallimet midis Lindjes e Perëndimit. Nga ana tjetër edhe Ali pasha Tepelena e kuptonte këtë interesim të madh të udhëtarëve e diplomatëve europianë  ndaj u përpoq që ta shfrytëzonte sa më mirë në interes të rritjes së imazhit të vet në Europë. Disa herë ai pozoi për tu pikturuar dhe lejoi që sarajet e tij të riprodhoheshin në gravura.  Imazhi orientalist i Aliut gërshetohet me imazhin që Aliu jepte për vetveten. Me kalimin e kohës, Aliu e njohu thellësisht këtë vizion orinetalist të personazhit të tij dhe e shfrytëzoi me mjeshtëri për qëllimet e tij.[1] (Katherine E.Flemming. Bonaparti mysliman: Diplomacia dhe orientalizmi në Greqinë e Ali Pashës. Dituria:2003, Tiranë, fq 163). Vizionin orientalist Ali Pasha Tepelena e përcolli dhe tek dy nipërit e tij që në moshë të re pozuan dhe u pikturuan nga piktori francez Luis Dupre. Përshkrimi dhe tabloja janë botuar në librin Voyage à Athènes et à Constantinople, -Udhëtim në Athinë dhe në Kostandinopojë(1825) ku një pjesë të rëndësishme zë dhe udhëtimi i Dupre në Janinë e Butrint. Ashtu si dhe udhëtarët e tjerë ai ishte frymëzuar nga udhëtimet e Bajronit dhe Pouqeville dhe përkrimet e tyre  për Lindjen e Afërt dhe  Ballkanin. Tabloja paraqet dy nipërit e Ali Pashës, Mehmet dhe Ismail Beun, djemtë e Veli Pashës. Për Ali Pashë Tepelenën janë shkruar shumë libra ku përmenden djemtë dhe nipërit e tij por me rënien e tij, pasardhësit pothuajse zhduken si me magji nga skena e historisë në perëndim. Mbarimi i luftërave Napoloniane, pavarësia e Greqisë dhe mungesa e një udhëheqësi karizmatik si Ali Pashë Tepelena në Shqipëri e Greqi duken se e zbehën interesin e udhëtarëve të huaj për familjen e Ali Pashë Tepelenës.

Por ky interesimndaj familjes dhe trashëgimtarëve të Ali pashë Tepelenës nuk do të mungojë nga ana elitës fisnike shqiptare, pasi nipërit e Ali pashë Tepelenës vazhduan karrierën e tyre si funksionarë të lartë në shtetin osman. Një këndvështrim tjetër shumë interesant është se çfarë mendonte dhe elita shqiptare e kohës që ishte integruar në spiralet e pushtetit otoman në në pozicione të larta për figurën e Ali pashë Tepelenës dhe aksionin e tij politik. Pjesa më e madhe e elitës shqiptare të Shqipërisë së Jugut u formua në Janinë ku bëmat dhe aktiviteti i Pashait Tepelenas ishin ende të freskëta në memorien e njerëzve. Në të njëjtën kohë ata ishin përfaqësues edhe të familjeve të pasura feudale, që e kishin ndier në lëkurë pushtetin centralizues të Ali Pashës. Është e kuptueshme që këto kujtime të ndikonin subjektivisht  në portretizimin e Ali Pashë Tepelenës por një rëndësi më të madhe merr fakti se çfarë mendonin parsadhësit e tij për gjyshin e tyre. Një dokument shumë interesant na vjen nga Arkivi i Shtetit për të na ndihmuar në ndriçimin e figurës së Ismail Rahmi Pashë Tepelenës, djali i Veli Pashës.  Ky dorëshkrim është shkruar në gjuhën osmane dhe, së bashku me përkthimin në gjuhën shqipe, gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit-Tiranë.Ai ka 78 faqe në osmanisht dhe 120 faqe në gjuhën shqipe, të cilat janë përkthyer nga orientalisti Jonuz Tafilaj. Në inventarin e hartuar nga përgjegjësi i sektorit të dorëshkrimeve osmane në arkivin historik, orientalisti Haki Sharofi, shkruhet data e marrjes në dorëzim të këtij përkthimi (26 qershor 1963). Ndërsa për kohën se kur është shkruar nga Syrja bej Vlora, ende nuk kemi asnjë të dhënë.[2] Botimi i tij është bërë i mundur nga Dr Hasan Bello në revistën “Zani i Naltë” dhe është një burim interesant për historinë e Shqipërisë. Ky përkthim në dorëshkrim sipas studiuesit Hasan Bello është në dialektin verior dhe përmban një sasi të konsiderueshme gabimesh dhe ai është përpjekur që të ndërhyj vetëm aty ku ishte domosdoshmërisht e nevojshme. Në libër jepen të dhëna mbi personalitetet më të shquar të Shqipërisë së Jugut, e cila, nga pikëpamja administrative, në këtë periudhë, përfshihej në Vilajetin e Janinës. Aty flitet shkurtimisht, e ndonjëherë edhe më gjatë, për formimin, rolin dhe kontributin e emrave të njohur të botës shqiptare. Madje, nuk mungojnë edhe detaje, të cilat, duke pasur parasysh se janë shkruar si pjesë integrale e një libri me kujtime, nuk gjenden në asnjë libër tjetër. Kjo e pasuron dhe e bën më të bukur për lexuesin, por edhe më të vlefshëm si burim historiografik për studiuesit.[3]

 Portreti i Ismail Rahmi Pashës jepet më i zgjeruar sesa personalitetet e tjera nga Syrja Vlora. Arsyet mund të jenë sepse si duket nga nga karriera e gjatë e tij në shtetin osman Ismail Rahmi Pasha ishte një personalitet që kishte lënë gjurmë të veçanta kudo ku kish qeverisur por edhe ndoshta si del nga jetëshkrimi i tij i hartuar nga Syrja Vlora, ata ishin të afërm. Nëna e Ismali Rahmi Pashës ishte vajza e Ibrahim Pashë Vlorës, familja prej nga rridhte dhe Syrja Vlora. Syrja Vlora përfshin në jetëshkrim edhe një bisedë familjare mes tij dhe Ismail Rahmi Pashë Tepelenës.

Për fat të keq në dorëshkrim mungon një faqe por teksti është i mjaftueshëm për të gjurmuar historinë e jetëshkrimit të Ismail Rahmi Pashë Tepelenës.Syrja Vlora përshkruan takimin që ka bërë me Ismail Rahmi Pashë Tepelenën dhe konsideratat që ky i fundit ka për gjyshrit e vet Ali pashë Tepelenën dhe Ismail Pashë Vlorën. Interesant është fakti i mosnjohjes mirë nga ana e Ali Pashë Tepelenës të gjuhës turke duke e folur me vështirësi e gabime dhe se me nipërit shprehej në shqip. Ky informacion është njëlloj si ai që na japin dhe udhëtarët e diplomatët e huaj që e kanë njohur nga afër Ali pashë Tepelenën. At dëshmojnë se gjuha e Aliut ishte shqipja dhe shumë dëshmitarë tregojnë se kur Aliu përdorte shqipen dhe turqishten për korrespodencën e tij personale, ai e shkruante me alfabetin grek, duke transkriptuar çdo lloj gjuhe që përdorte në alfabetin që njihte më mirë[4].Gjithsesi ia vlen për të përmendur se ky faktor identiteti nuk përcaktonte kategori të ndara qartë. Shpesh ajo mbivendosej mbi faktorë të tjerë dhe ndryshonte paradoksialisht sipas rrethanave të çastit. Një shembull në këtë drejtim është ai i popullsisë shqiptare të Sulit, të cilët gërthisnin  shqip sfidën ndaj letrave kërcënuese që u dërgonte greqisht Ali Pasha.[5]Gjatë sundimit Ali Pashë Tepelenës gjuha nuk kishte fituar akoma identitetin ndarës që e gjejmë pas formimit të shteteve nacionalë në Ballkan. Po kështu bie në sy niveli i lartë intelektual i Ibrahim Pashë Vlorës i cili e kalonte kohën gjatë burgimit të tij të gjatë në Janinë 1810-1820 duke lexuar Divanin e Hafizit. Kohët e mjerimit të vet kujton Ismail Rahmi Pashë Tepelena për gjyshin e tij nga nëna Ibrahim Pasha Vlora, i kalonte herë me të lutuna fetare e herë me lexime, e sidomos me lexime të Divanit të Hafizit, me ndihmën e të cilit donte me zbulue fatin e vet t’ardhmen. Poeti persian Hafiz është shumë  i njohur për poemat e tij që mund të përshkruhen si antinomike dhe me përdorimin mesjetar të termit “teosofik”; termi “teozofi” në shekujt XIII dhe XIV u përdor për të treguar veprën mistike nga autorët vetëm të frymëzuar nga librat e shenjtë (siç dallohet nga teologjia). Hafizi shkruajti kryesisht në zhanrin letrar të poezisë lirike, ose të gazeleve, që është stili ideal për të shprehur ekstazën e frymëzimit hyjnor në formën mistike të poezive të dashurisë. “Divani i Hafizit ishte një libër që lexohej shumë në Lindje por kishte tërhequr dhe vëmendjen e shkrimtarëve në Perëndim. Një nga ta ishte dhe shkrimtari i madh gjerman Johan Volfang Goethe. Goethe ishte mendjehapur edhe ndaj kulturës lindore dhe formave të ndryshme poetike të lëvrimit të kësaj kulture. Ai njihte mirë Rumiun dhe Sadiun dhe Hafizin  dhe vet nën ndikimin e poezisë orientale shkruajti një Divan “Perëndimoro- Oriental” (1819-1827).  Goethe e admironte shumë Hafizin, i cili ishte edhe një simbol i shpeshtë humanizmi në poezinë e tij. Ai madje shkruajti dhe njw poezi tw titulluar  “Ribashkimi” dedikuar  Hafizit. Leximi i vazhdueshwm i Hafizit nga Ibrahim Pashw Vlora wshtw njw dwshmi tjetwr e lidhjes sw familjes Vlora me sektet e sufizmit.

Gjithsesi në këtë bisedë të transmetuar nga Syrja Vlora nuk mund të mos vësh re një lloj subjektivizmi në gjykimin e figurës së Ali Pashë Tepelenës dhe lartësimin e e asaj të Ibrahim Pashë Vlorës. Mirëpo pavarësisht këtij gjykimi të Ismail Rahmi Pashës për gjyshin e vet në fund të jetë së tij Ismail Rahmi Pasha Tepelena zgjedh të varroset pranë gjyshit e babait të vet në Edirkerpe, ku ishin varrosur kokat e tyre. Për më tepër si shkruan Syrja Vlora, megjithse ndër turq s’ashtë zakoni me përdorë mbiemën familjejet dhe kujtimi i emnit të familjes së tij ngjallte përshtypje të tmerrshme ndër turq, ai nderohej me u qujtë “Tepedelenli-Zade” (Birë i Tepelenasit). Ndaj tingëllon pak e çuditshme se duke qenë vali(governator) në Janinë sipas Syrja Vlorës,  Ismail Pasha nuk e vizitoi asnjëherë varrin e gjyshit të vet. Emërimi i tij si governator në Janinë nga ana e Portës së Lartë më 1848 hedh dritë mbi politikën e brendshme që ndiqte Porta e Lartë ndaj zbatimit të reformave të Tanzimatit. Syrja Vlora shkruan për ndërhyrjen e politikën e paqëtimit që ndoqi Ismail Rahmi Pashë Tepelena pas kryengitjes së Shqipërisë së Jugut në 1847 ku mbrrijti me lirue me intervenimin e tij parësin e Toskërisë që ishte e internueme dhe i dha fund periodës s’errtë të Tanzimatit.

 Një fakt tjetër  intersant në jetëshkrimin e Ismail Pashës Tepelenës së shkruar nga Syrja Vlora është fati i pasurisë së  tij dhe mënyra sesi ajo u nda nga pasardhësit e tij. Mes të tjerash gjejmë informacionin për djalin e xhaxhait të tij Mahmut Pashë Tepelena, djali i Myftar Pashës që është pikturuar nga Dupre dhe një pasardhës të pretenduar të tij. Mbas mjerimit që i ngjau t’et, Qeveria ia ktheu pasuninë e konfiskueme, e cila qe mjaft e madhe; por vuajti dhe ai vetë për shkak se i hyni grindja me të birin, Asaf Beun e me të bijën e Shefika Hanëmi. Pjesën ma të shumtën e pasunisë së tij e trashëgoj i biri i vogël Qamil beu. Mbas vdekjes se tij dolën një grumbull trashëgimtarësh në pasuninë që la ky, të gjithë si të afërm të tij dhe pretenduen me gëzue atë mori pasunije, asht një çudi e fatit se ndër këta trashëgimtarë doli edhe një zezak, të cilit si dihej farefisi me një akt-trashëgimi falco në dorë dhe tue pretendue se ishte djali i Mahmud beut të birit të Muftar Pashës mujti me shti në dorë arbitrarisht, mbasi Mahmud beu s’kishte lanë djalë, me gjithë kundërshtimet e pjesmarrësvet të familjes. Më poshtë jetëshkrimi i Ismail Rahmi Pashë Tepelenës nga Syrja Vlora që hedh dritë mbi jetën e trazuar të pasardhësve të Ali Pashë Tepelenës.

 Ismail Pasha. (Në tekst mungon faqja 6. Si mbas përshkrimit që jepet në faqen 7, kuptohet se flitet për një Ismail Pashë, i cili e ka pasë gjysh Ali Pashë Tepelenën). Mbasi u këndue Mevludi dhe u shpërndanë të ftuemet, mue (thotë Syrja Vlora) më ndali atë natë me bijtë në shpi të vet. Më përkëdheli me fjalët e veta t’ambëla, dhe un mora guxim e pyeta mbi ndonjë veçansi të jetes s’Ali Pashës dhe Ibrahim Pashës. Mi jepte të gjegjun me gëzim çdo pyetje dhe më mbushte shpirtin me kënaqsi.

Më foli kështu: Ali Pashë Tepelena qe gjyshi i jem, e Ibrahim Pashë Vlora baba i nanës s’eme e i gjyshes s’ate. I pari u rrethua prej ushtrisë osmane dhe i dyti mbeti i mbyllun në kala të Janinës prej 1225 h deri në 1235 h (1810-1820). Mbaje mend se i kam pa të dy ndër ditët e mbrame të jetës së tyne. Ali Pasha qe injorant, turqishten e fliste me vështirësi e me gabime. Me mue shprehej në shqip. Ibrahim Pasha, përkundrazi, qe i urtë e i dijshëm, fliste bukur, këndonte e shkruante. Kohët e mjerimit të vet i kalonte herë me të lutuna fetare e herë me lexime, e sidomos me lexime të Divanit të Hafizit, me ndihmën e të cilit donte me zbulue fatin e vet t’ardhmen.

Ali Pasha, i shtym prej ndjesivet shemrake (rivaliteti), që ushqente ndaj tij e burgosi Ibrahim Pashën; me gjithë këtë për personin e dijen e tij kishte nderim dhe besim ndër mendimet e tija t’arsyeshme (logjike). Disa herë Ali Pasha më pat çue mue te Ibrahim Pasha për me marrë vesht se ç’mendonte për të e për politikën e tij. Ibrahim Pasha megjithse i dëshpëruem dhe i urrejshëm ndaj Ali Pashës, nuk vente gojë kundra tij, por dhe rrugë si kallxonte për sa synonte politikën që ndiqte ai (Ali Pasha). Ibrahim Pasha ishte simpatik e burrë i kandëshëm dhe prandaj për të kisha një dashuni të veçantë. Dhe ai më thonte se më donte ma shum se djalin e vet dhe më nxiste me mësue.

Ali Pasha kishte shpresë me shti në dorë, vonë ose herët, Hurshid Pashën dhe kështu me i shpëtue lakut në të cilin kishte ra. E Ibrahim Pasha, përkundrazi, vetë ishte mërzit nga jeta dhe s’mendonte me kthye prap dikur dhe një herë në shkambin e lumtunisë së tij të përparshëme dhe ishte mendenbushun për fatin tragjik të bramë t’Ali Pashës!

Por sa preu fjalën e pyeta Ismail Pashën për moshën që kishte atëherë. Qeshi dhe më përkëdheli, e mandej më tha: Moshën që ke ti sot. Mbas këtij hesapi Ismail Pasha duhej të kishte kalue moshën tetëdhjet vjeç në kohën që un pata me të këtë bashkëfjalim. Megjithë këtë arsyetim ishte i qartë dhe i shkathtë në trup, edhe pse i thatë. Mbas katër pesë vjetësh vdiq dhe u varros ndër varrezat e Edirnekapës, aty ku ishin të varrosun dhe krenat e preme t’atit e të gjyshit të tij.

Ismail beu, pa u ba ende pashë atëherë, i cili i dha sihariqin ma i pari Kryeministrit që ishin shpartallue e zhbi Jeniçerët dhe u emënue në roje të rrethevet të Dikilitashit, pati disa nëpunësina në Stamboll. Në vitin 1255 h (1839) prej Ministrisë së Tersanes si vali n’Izmir, prej ku mbas një vjeti u emënua Ministër i Karantinës. Në vitin 1262 h (1845) tue iu njoft meritat e tij personale, si një burrë shteti i zoti n’administrim të vendit dhe tue u çmue besnikrija e tij ndaj sulltanit, u dërgue në 1263 h (1846) si prefekt në Tërhallë, po n’atë vjet u emënue prefekt në Viza e me titull Veziri prefekt në Trabzon, në 1264 h (1847) prefekt n’Edrene; në 1265 h (1848) prefekt në Janinë, prej ku mbrrijti me lirue me intervenimin e tij parësin e Toskërisë që ishte e internueme dhe i dha fund periodës s’errtë të Tanzimatit. Dhe një herë ma vonë qe vali në Janinë, por asnjë herë nuk desht t’a vizitonte varrin e gjyshit të vet në Manastir të Pandelimanit dhe të shihte Tepelenën, vend-lindjen e tij. Sa herë që Ismail Pasha kujtonte vuajtjet e familjes së tij mjerohej dhe mallkonte shkaktarët. Shqipen e fliste shumë qartë, dhe në konak të vet mbante shërbëtorë shqiptarë. Kudo që qe vali punoj me të drejtë dhe në publik u njoft si një vali ndër ma të mirët. Prej natyre qe shumë i butë, i drejtë dhe i prinun me ba mirë. Kur bisedonte i kandej m’e përcjellë gjithmonë me kallxime ngjarjesh dhe me shëmbuj. Fjalët i kishte të lidhuna dhe ishte shumë i qartë ndër shprehje. Ç’quhej për sjelljet e fjalët ma t’ambla e dije fisnike. Qe një vezir inteligjent dhe bamirës ndaj ata që fati i kishte lëshue dorët. Megjithse ndër turq s’ashtë zakoni me përdorë mbiemën familjejet dhe kujtimi i emnit të familjes së tij ngjallte përshtypje të tmerrshme ndër turq, ai nderohej me u qujtë “Tepedelenli-Zade” (Birë i Tepelenasit). Konaku i tij qe një qendër ku u mblidhshin të pasun e të varfër, dhe kuvendi që bahej n’at konak qe me ia pas zili. Mbas mjerimit që i ngjau t’et, Qeveria ia ktheu pasuninë e konfiskueme, e cila qe mjaft e madhe; por vuajti dhe ai vetë për shkak se i hyni grindja me të birin, Asaf Beun e me të bijën e Shefika Hanëmi. Pjesën ma të shumtën e pasunisë së tij e trashëgoj i biri i vogël Qamil beu. Mbas vdekjes se tij dolën një grumbull trashëgimtarësh në pasuninë që la ky, të gjithë si të afërm të tij dhe pretenduen me gëzue atë mori pasunije, asht një çudi e fatit se ndër këta trashëgimtarë doli edhe një zezak, të cilit si dihej farefisi me një akt-trashëgimi falco në dorë dhe tue pretendue se ishte djali i Mahmud beut të birit të Muftar Pashës mujti me shti në dorë arbitrarisht, mbasi Mahmud beu s’kishte lanë djalë, me gjithë kundërshtimet e pjesmarrësvet të familjes. Kurse unë dhe të bijt e dajës së Ismail Pashës kishim të drejtë n’atë pasuni, por ndryshimi i kohëvet dhe i pozitës nuk na la mundësinë me ndjekë këtë padi (dava).[6]