https://www.facebook.com/watch/?v=1071192683255835/ATSH/ – 10 mjekët që u dërguan me mision ndihme në Itali kanë filluar sot punën në spitalin e Breshias në Itali, ndërsa 20 infermierët do të fillojnë nesër, të ndarë sipas pavijoneve ku janë nevojat më të mëdha.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u lidh drejtpërdrejt me mjekët në spitalin e Breshias, duke i shprehur mbështetjen maksimale për këtë mision humanitar.

“Ne mjekët filluam të gjithë punë sot, infermierët do të fillojnë nesër. Reanimatorët kanë filluar punë në reanimacion, ndërsa unë me gjithë doktoreshën tjetër jemi tek repartet e COVID subintensiv, në repartet e pneumologjisë. Ndërsa doktoresha që vinte nga Instituti i Shëndetit Publik është tek tamponët me gjithë dy mjekë të tjerë. Ndërsa dy mjekë janë vendosur në triazhim. Edhe infermierëve u kanë përcaktuar vendet dhe po i pajisin me veshjet e duhura dhe nga nesër do të fillojnë shërbimin”, tha Ermal Pashai, një nga mjekët e dërguar në Itali në misionin humanitar.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Manastirliu u shprehu mbështetjen në këtë moment të vështirë.

“Një këshillë kisha: E para, forca dhe kujdes veten të gjithë ju, pra kujdes materialet e mbrojtjes personale, veshja e duhur për të mos rrezikuar veten. E dyta, ju jeni krenaria jonë, ne kemi besim tek ju dhe do të doja që nëpërmjet jush dhe gjithë ekipit tjetër t’ju uroja suksese në këtë mision humanitar”, u shpreh Manastirliu.

Grupi i mjekëve në Itali kanë kërkuar mirëkuptim nga media.

“Ne duhet të përqendrohemi tek kjo punë për të cilën kemi ardhur”, tha mjeku Ermal Pashai.

“Ka një kohë për të punuar dhe për të luftuar, një kohë tjetër pastaj për të ndarë eksperiencën dhe kjo është koha për të luftuar dhe kush lufton, nuk e ka mendjen te fjalët, por e ka mendjen te puna”, tha Manastirliu.