Nga Ben Andoni

Nga aspektet më tragjike të kohës së demokracisë ka qenë përcjellja në rrugë e bibliotekave të shumë prej personaliteteve shqiptare, e arkivave dhe e trashëgimisë së disa prej personaliteteve më të njohura kombëtare. Por, jo vetëm atëherë. Të tjerë mund të sjellin kujtimin e shkatërrimit pas L2B dhe batërdinë që ndodhi kudo pas ndalimit me ligj të fesë në vend. Shteti ynë i sotëm dhe i djeshëm, me fuqinë e dobët financiare dhe me tagrin e papërcaktuar sa i përket këtij fenomeni, si edhe një tranzicion shumë konfuz mbeti pasiv përballë batërdisë në një fushë të madhe që lidhej me trashëgiminë. Por, ngjarjet ishin dhe bëhen më të dhimbshme, sepse pak gjëra ndryshojnë. Për të mos prekur kujtimin e të ndjerëve, po kursejmë emrat, por ata që kanë lidhje me kulturën e kujtojnë qartë fatin e trashëgimisë së njërit prej etnologëve më të mëdhenj të vendit që u degdis në plehra; bibliotekat e gjuhëtarëve të shquar që shiteshin pa asnjë kusht tregtimi në cep të Ambasadës Ruse në Tiranë dhe prishjen e shumë prej punëve dhe autorësive të njerëzve që bënë Shqipërinë në dekada.

Një situatë të trishtë e solli sërish kujtimi i një artisti të njohur shqiptar, me një trashëgimi të pasur në disa fusha, që u nda nga jeta pak orë më parë. Mungesa e njerëzve më të afërt dhe neglizhenca e tij deri në momentin e fundit për të lënë një lloj testamenti, një i tillë gabim që i ka ndodhur dhe po i ndodh shumicës së artistëve dhe personaliteteve shqiptarë, po rezulton shqetësues. Pak vite më parë, para një dileme të tillë, ndodhej i biri i fotografit më të njohur të Korçës, që bashkë me Mion bënë historinë e Korçës. Negativat e tij gjendeshin në kushte lagështire, të pambrojtura, nën shkallët e shtëpisë dhe të qesëndisura me një indiferencë të tillë të të birit, që ishte dhe gati t’i shkatërronte ose t’i linte aty të mbaronin prej indiferencës së shtetit shqiptar. Shumëkush e kujton piktorin e “Epikës së yjeve të Mëngjesit” që në fund të jetës i shiste për asgjë punët e tij. Dhe, lista vazhdon e gjatë…

Sa herë që ndodh një vdekje e tillë, si edhe ndodhi me artistin e njohur të grafikës dhe arkitektin e njohur, shumë rendin të kujtojnë episode por edhe të kulmojnë sesi u braktis për të nxjerrë nga ana tjetër se ishin ata dhe vetëm ata, që bënë historinë e fundit me të, që ai u besoi këtë apo atë dhe me radhë. Por, harrojnë një gjë të thjeshtë, që ka njerëz që vetminë e kanë atribut dhe nuk mund të jetojnë dot pa të. “Është e kotë të përpiqesh të arsyetosh një njeri nga një gjë për të cilën nuk u arsyetua kurrë”, shpjegonte dikur Jonathan Swift. Mbase kjo e bëri shkrimtarin tonë më njohur, kandidatin për Nobel, që t’i falte disa nga dorëshkrimet e tij për Arkivin Qendror.

Verba volant, scripta manent.

Në këto ditë të trishta pandemie, Shqipëria ka humbur tre artistë të fushave të ndryshme. Shërbimet funerale kanë vepruar brenda protokollit të arsyeshëm, por ajo që do të mungojë në rastin e artistit të fundit do të jetë ai mal punësh që i ndjeri i la në mes, projektet e tij të mbaruara apo jo dhe po ashtu edhe ajo që mund të bëhet me gjërat e mbetura si trashëgimi. Po si do zgjidhet ngërçi i kahershëm me pinjollët dhe të afërmit, që mëtojnë pronësi mbi to, pavarësisht marrëdhënies së të ndjerit/ës në të gjallë? Çfarë trashëgimie janë ato për Tiranën dhe vendin e tij të origjinës?! Mbase kjo do të jetë ajo më e mira që do të kujtojmë tashmë nga arkitekti dhe grafisti i njohur, pasi “Origjinaliteti duhet të përbëhet nga trashëgimia”, siç cilësonte dikur Harold Bloom, vepra e tij dhe e të tjerëve si ai, do të flasë tashmë me konceptin dhe syrin e të tjerëve. Një apel i tillë shkon edhe për ata që strehojnë vepra albanologjie, që janë marrë, blerë dhe përvetësuar pas vdekjes së të ndjerëve ose konfuzionin e pinjollëve të tyre. Është koha që ato t’i kthehen shtetit dhe trashëgimisë sonë ose të ruhen ashtu si e meritojnë, por jo të shuhen nën kujtesa vrastare dhe të shpirtvogla të pinjollëve. Atë që nuk e bënë vetë individët që menduan se vdekja do t’i kursente përjetësisht, ka ardhur koha që ta bëjnë vetë ata, që e ndjejnë se duhet ta bëjnë. Mbase ka ardhur koha që edhe shteti shqiptar të jetë më i vetëdijshëm me Qendrën e tij të Inventarizimeve, sa i përket këtij misioni, me një ligj apo me mënyra që kjo trashëgimi të mos flejë në koleksione njerëzish që kënaqin pak sy ose interesa fare të ngushta. Shqipëria e varfër dhe me pak emra të shquar, duhet të mbledhë këtë trashëgimi, që mund të shuhet nga vetë shqiptarët për të mos u kthyer më pas. (Homo Albanicus)