Përshtypje nga një dalje televizive e publicistit

Nga Pëllumb Kulla

Kanë qenë vitet e para të Shekullit. Në atë gazetë binin në sy politikanë me integritet, mendimtarë, analistë, të vjetër e të rinj. Shkruante në të edhe Fatos Lubonja… Analizat e tij më pëlqenin për vlerësime dhe diagnostikime të sakta. Ishte një penë që rrezatonte pavarësi dhe integritet. 

Tani as ai Shekull dhe as ai Lubonjë nuk janë më. Nuk dua të ndalem aq tek  fati i Shekullit, por me keqardhje shoh tani Lubonjën, që duket si i ngurtësuar dhe aspak i kënaqur me staturën që duhet të ketë pasur në synimet e tij. Vitet të gjithëve ne nuk na i kanë sjellë ato që prisnim, por publicistin e shohim të vrerosur, mallkues dhe inatçor kundrejt çdo bëme të qeverisë. Karizma e vjetër i ka avulluar dhe në shfaqjet e tij publike lundron pa e vënë re se është krejt i padëmshëm për pushtetin dhe shumë shpesh i panevojshëm për Opozitën.

Ja, në këto ditë… Nuk besoj të jetë vetëm e imja pandehma, se zoti Lubonja dhe ca të tjerë, do të ishin tmerrësisht të pakënaqur nëse përpjekjet e qeverisë në menaxhimin e situatës kërcënuese dhe kobzezë të Covid-19 do të rezultonin, të themi, më të mirat në botë. Jo, jo! Dështimi i Ramës dhe i ekipit të tij do të ishte rezultati më i preferuar i tyre, pavarësisht kostos të llahtarshme kombëtare. 

Po, – dreqi e mori! – nuk mund të kundërshtohet me ulërima çdo akt i qeverisë, çdo vendimmarrje që del nga kabineti i Ed Ramës! Si mundet një njeri i arsyeshëm të pretendojë që vendimet në qeveri për kufizimin e lëvizjeve duhet të marrin parasysh rutinën komode, të një individi pa yll në ballë, që nuk zgjohet dot në pesë e gjysmë të mëngjezit?! Fatos Lubonja është i revoltuar që kur na qenke ngritur nga gjumi, në 12 e 30, paskish mbetur pa blerë ato që desh, ngaqë çdo shitore, sipas “vendimit çnjerëzor” të Edi Ramës mbyllej në orën 13!

A nuk ndihet ligësi në deklaratën e Lubonjës, se në këtë shprishjen që solli pandemia, rikthimi me avionë i njerëzve në atdhe, u bëkërke me kritere diskriminuese, duke marrë në bord të avionëve vetëm ata që i ka me sy të mirë pushteti?! Mbi cilët fakte e mbi cilët  studime të imta mbështetet kjo akuzë e këtij publicisti? Përse nuk foli ndonjëri nga ata që mbetën në pistat e aeroporteve teksa aeroplanët e AirAlbanias u ngritën të sillnin të përzgjedhurit drejt Shqipërisë?!

Cinizmi ia bën muuu, tek ftohtësisht Fatos Lubonja llogarit humbjet njerëzore si ca fije flokësh që na bien nga balli tek thotë: “kush do të vdiste gjatë gjithë vitit, iku gjatë tri javësh!”

Është megallomani dhe ligësi e pastër, të mendosh ndryshe nga e tërë bota, ajo e jashtme dhe e brendshme, që dërgimin e personelit mjekësor në vatrën e zjarrtë lombarde, e përshëndeti njëzëri si një vepër humanitare nën hirin e mësimeve të Shën Terezës. Ishte një shou ky?! Shou do të ishte nisja pompoze në Rinas dhe zbritja spektakolare në Romë, nëqoftëse ato do të pasoheshin nga çthurrja e delegacionit, përhapja e tyre nëpër fis e fare, por jo angazhimi i menjëhershëm në spitalet italiane dhe përballja që ditën e nesërme me afshin e zjarrtë të vdekjes!

E gjithë kjo deklaratë është ligësi e nivelit më të ulët. Jo gjithmonë mendimi i lirë, rebel dhe antiqeveritar, të siguron kredenciale të simpatisë dhe integritetit. 

Ëndrra për theqafjen e Ramës është bërë për Lubonjën një ide fikse. Ai nuk do të rreshtë kurrë, as në ditë me diell, as në ato me shi, as në paqë dhe as në katastrofa natyrore, pa ia ndarë sytë lëvizjeve qeverisëse të kryeministrit. Ai edhe masën shëndetësore të ngujimit e përkthen si provë gjenerale të burgimeve që përgatit “diktatura që po vjen”, e përkthen si frenim të eksodit të shqiptarëve që gjithnjë turpëron qeverinë në fuqi.

Meqë ra fjala tek eksodet…

As që ka ndërmend zoti Fatos Lubonja ta shohë se mbase këto arratisje të frikshme u duhen faturuar edhe kundërshtarëve të qeverisë. Ikja e shqiptarëve drejt ca horizonteve më premtuese, ka nisur në fund të viteve ’80 dhe nuk ka pushuar kurrë. Kam bindjen se largimi  nga atdheu sot është shtytur nga pakënaqësia ndaj qeverisjes, por edhe  më e dhimbshme është shtytja që vjen nga shkretëtira opozitare. Njerëzit nuk dijnë ku ta hedhin spirancën e shpresave, pasi lumëzinjtë, që  përbëjnë sot Opozitën, nuk të ngjallin asnjë frymëzim. Asnjëherë Opozita gjatë këtyre 30 vjetëve nuk ka qenë më e degraduar më e shkalafitur e më e varfër nga tallambacet e shpresave, se sa kjo e sotmja. Dhe shëndeti i një demokracie, o miqtë e mi, dihet që nuk është qeveria, por më së shumti Opozita.

Njerëzit nuk besojnë kurrsesi se kjo forcë aktuale opozitare do ta zbresë nga froni Ramën. Këtë tashmë e dijnë edhe vetë opozitarët dhe hera herës e thonë edhe me zë të lartë. Dhe u janë kthyer lutjeve drejtuar atij vetë. Me zë të lartë dhe hapur e pranojnë që, me votë, gogolin e tyre nuk do ta mundin dot kurrë! E jo ngase ai do t’ua vjedhë votat. Nuk do t’ua vjedhë, sepse ata janë aq të padëshiruar nga populli mbarë, saqë Rama, me gjasa, nuk do gjejë se çfarë të vjedhë!

Kurse rrëzimi i Ramës, rotacioni jetik, është nevojë e domosdoshme e Shqipërisë. Dhe këtu unë bëhem paksa i një mendje me Lubonjën, paçka se ndryshe nga ai, unë jo vetëm nuk e urrej, por e shoh me sy të ngrohtë kryeministrin e sotëm. Edhepse mendoj se Shqipëria do të fitonte shumë po të gjente një dorë më të sigurtë se e tija. 

Personalisht bashkohem, me Lubonjën dhe me ata që e kritikojnë Edi Ramën për autoritarizëm. A nuk ju bie në sy që deri në këtë rresht të artikullit unë nuk e kam përmendur asnjëherë Partinë Socialiste? Kërkoj falje me mirësjellje, por edhe ky është faji i vetë Edi Ramës. Pemën e tij autoritare ai e vadit përditë dhe në çdo rast. Për këtë e ndihmojnë edhe demokratët dhe tërë opozitarët e tjerë. Akoma nuk po e vini re, të dashur lexues, që Partia Socialiste është fshirë edhe nga fjalori i Opozitës?! Armiku i vetëm i atyre që aspirojnë pushtetin është Edi Rama dhe vetëm Edi Rama! A nuk sjell edhe kjo ca ujë më tepër në vaditjen që thashë më lart? 

I pari i socialistëve duhet të shqetësohej vetë për këtë gjendje, dhe mjerisht ai nuk po jep asnjë shenjë shqetësimi. Ai, i dalë nga oborri i tyre, është sot jo vetëm kryeministër, por edhe ministër i të gjitha ministrive! Edhe nuk jep shenja as që ai do të lejojë ndryshimin e atij kodit famëkeq zgjedhor aq regresiv të vitit 2008. Në atë akord djallëzor dy vetë, i ligjëruan vetes që të bëjnë listat e deputetëve. Ishte një truk që kundërmon nostalgji enveriste ky, që sjell ligjvënës të nënshtruar, që pjell deputetë memecë, që ndjell ca ambiciozë kokëtrashë me xhepa edhe më të trashë akoma. Përligja që zoti Rama i atribuon kodit zgjedhor aktual se gjoja ai garanton përqindjen e nevojshme të femrave në sallat e kuvendit është tepër e brishtë. E kush e ka penguar femrën shqiptare të bjerë në sy dhe të bëjë vend në simpatinë publike? As nuk është fare jetike për popullin shqiptar përqindja e femrave. Femrat e shquara e fitojnë vetë karrigen në kuvend. 

Nuk besoj se ka qenë përqindja që e ka sjellë Merkelin në krye të gjermanëve. 

Por zor se kreu i socialistëve do të dojë që përveç makiazhit periferik, të mund të ndodhë ndonjë ndryshim i këtij lloji në kodin e ri.

Përmenda vetëm disa nga cilësitë vetjake që e bëjnë të thyeshëm njeriun që Lubonja me shokë e duan që ta shohin përmbys. Dhe nuk u zgjata të cekja ekonominë e brishtë, nivelin e ulët të jetesës  dhe metastazat e korrupsionit tridhjetëvjeçar.

Një personazh i tillë i thyeshëm, do të ishte fare i kollajtë për t’u hequr nga skena e historisë. Por Opozita aktuale është tepër e sëmurë dhe e pa shpresë

Një Opozitë e shëndetshme, me lëvizje të matura, që në radhët e sajë do të përfshinte njerëz të rinj  dhe jo ata, të ndohturit në vite, si me magnet do t’i mblidhte rreth vetes ata që tani të vetmen zgjidhje shohin ikjen. Dhe ikanakët do t’u kthenin kurrizin kufijve për ta fuqizuar Opozitën premtuese e për të mundur të hedhin baza të qenësishme, këtu, më mirë se atje për ku ishin nisur.

Kam bindje të patundur që Lubonja nuk ka as aftësinë e ca më pak dëshirën të shohë asnjë gjë pozitive në tërë veprimtarinë e kryeministrit Rama, në mjaft reforma brënda vendit, apo në politikën e jashtme… Mëkatë! Kjo Fatos Lubonjën do ta bënte më të besueshëm në kritikat e tij të përligjura. Dhe atij i është dhënë rasti, siç na është dhënë të gjithëve për të parë se Edi Rama, megjithë të metat që përmenda ka qenë në krye të detyrave delikate që e kanë thirrur t’u dalë për zot.

Publicisti po të dojë le të ndahet nga unë dhe të mos pranojë se kryeministri ka përballuar me trimëri, vetmohim dhe mënçuri, dallgët e fatkeqësive që i ranë në këtë pjesë kohore të qeverisjes së tij. E këto nuk ishin fatkeqësi të sjella nga Vefat e Gjallicat e veta, por ishin gjëma apokaliptike që nuk patën ardhur kurrë së bashku, por të veçuara me shekuj nga njëra tjetra. Për këto shqiptarët duhet ta mbajnë mend impenjimin e tij madhor e do t’i jenë mirënjohës në jetë të jetëve. Lubonja dhe të tjerët si ai, duke qenë haptazi të padrejtë me të, vetëm e kanë ndihmuar Edi Ramën duke larguar njerëzit nga vetja e tyre dhe duke i shtytur ata rreth tij. Mallkimet e Lubonjës me shokë, atij i kanë mprehur më tej këmbënguljen për të qenë në krye të punëve të vështira për të mirën e shqiptarëve që e kanë parë në dritë të syrit, por edhe për karshillëkun ndaj  klubeve që e mallkojnë. 

Dhe një shkrimtar si Lubonja e di, se si t’i shumëfishon forcat një karshillëk i tillë. Është më shumë ligësi, se sa naivitet i pafalshëm në këto kohëra ta sulmosh atë, kur duhet ta duartrokasësh

Unë për vete i them: pastë bekimin e Zotit! Dhe e uroj megjithë zemër e jo ngaqë aty më lart i hodha ca shigjeta dhe tani u kujtova që jemi në luftë dhe ai është komandant!

E komandanti në kulmin e luftës nuk shahet.  

Të kërkoj ndjesë komandant, po artikullit nuk i heq asnjë presje.

Kurse Fatos Lubonjës i uroj me gjithë zemër që të dalim tok shëndoshë nga strehimet ku na ka urdhëruar Rama, ku ca nga ne mbylljen e quajnë urdhër diktatorial.  Dhe sapo bota mbarë e përgëzon për zbatimin e përpiktë të kësaj mase, ata pushojnë mallkimet dhe me kënaqësi e quajnë masën, ide dhe meritë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.//