/23/04/2020//  Kryeministri Rama deklaroi se faza e dytë e strategjisë me këtë armik të padukshëm nuk ndryshon shumë nga ajo e vendeve të tjera, përveçse nga qasja taktike. Sipas tij, për sa kohë që ende nuk ka një vaksinë, do të na duhet të bashkëjetojmë me virusin duke ruajtur distancat fizike.

“Faza 2 e strategjisë sonë me këtë armik të padukshëm nuk është se ndryshon shumë nga vendet e tjera. Por qasja jonë në këtë fazë do të jetë pak më e ndryshme taktikisht nga vendet e tjera. Po filloj t’ju përsëris që virusi nuk ikën meqë ne rrimë mbyllur. Kur ne rrimë mbyllur, virusi nuk na vret dot siç do të na vriste nëse ne të mos mbylleshim. Por ama është aty, prapa derës së secilit dhe sapo e hapim derën e shtëpisë së përbashkët të vendit tonë për të dalë, ne jemi të ekspozuar nga mundësia që ai të na godasë përsëri. Ndaj mblidheni mendjen top se deri kur të dalë vaksina duhet të jemi çdo moment të vëmendshëm si individë, si familje dhe si shoqëri që të mos goditemi prej tij, ashtu siç nuk u goditëm as në fazën e parë. Kjo do të thotë që deri në daljen e vaksinës, normaliteti ynë i ri nuk do të ngjajë me normalitetin që kishim para se të niste kjo luftë e papritur. Shqipëria, rajoni, Europa, bota nuk do të jenë si më parë pa u zhdukur paraprakisht ky armik i shëndetit, i lirisë, i ekonomisë, të drejtave tona si njerëz që jemi mësuar të japim duart, të takohemi, të përqafohemi, të jemi bashkë, qëndrojmë së bashku për të mësuar, për të punuar, për t’u gëzuar me njëri-tjetrin e deri largqoftë për të ngushëlluar njëri-tjetrin kur humbasim një njeri të dashur. Imagjinoni vetëm këtë, për të ruajtur veten, familjen, të tjerët ne nuk duhet të shkelim më në shtëpitë e njëri-tjetrit, pa u zhdukur më parë ky armik. Por ama nga ana tjetër, nuk mund të rrimë mbyllur pafund. Është njësoj si të mbyllesh me familjen në shtëpi pa mundur më të gjenerosh të ardhura për familjen pasi të kanë mbaruar kursimet, kanë mbaruar larg qoftë edhe të afërmit që mund të ndihmojnë. E paimagjinueshme dhe faktikisht e parealizueshme qoftë për një familje, qoftë për një shtet, apo për të gjitha shtetet bashkë që janë sot në botën ku jetojmë, kaq shumë të ndërvarur nga fatet e tyre nga njëri-tjetri”, tha Rama.

Rama shtoi më tej se “luan macja me miun, ku miu nuk rri dot pa dalë nga vrima përndryshe, por kur del e ka mendjen jo vetëm të ushqehet, por edhe të mos kthehet në ushqim për vetë macen. Natyrisht çdo krahasim çalon, por sot vetëm ata që e kanë mendjen në gjumë dhe gojën vetëm për punë, mund të thonë se ne mund të kishim pasur fatin e atij miut të pavëmendshëm nëse nuk do të kishim qenë kaq të shpejtë dhe kaq të vëmendshëm që kur ky armik na erdhi në derë si një mace e egër në kërkim të ushqimit në trupat tanë dhe njerëzve tanë më të dashur”./R-SR///