/09/04/2020// Kryeministri Edi Rama tha te merkuren se paketa e mbështetjes financiare për reduktimin e pasojave të pandemisë COVID-19 do të zgjerohet edhe me aktivitete të tjera. Pjesë do jenë bizneset e vogla, si rrobaqepësi, servis makinash, hidraulikët, punonjësit e transportit urban.

Duke iu përgjigjur qytetarëve në një komunikim online pasditen e sotme, Rama iu përgjigj shqetësimeve të tyre për disa kategori të biznesit të vogël, të cilat theksoi se do jenë pjesë e paketës së zgjerimit.

“Bizneset e vogla të tipit si rrobaqepësi e vogël në një lagje, por janë disa kategori këto, servis makinash i cili me ligjin në fuqi është i hapur, por me zakonin në fuqi është i mbyllur, se nuk ka fluks njerëzish që lëvizin me makinë dhe shkojnë në servis dhe kur dalin, dalin për të shkuar në punë dhe kthehen në shtëpi”, tha Rama.

“Po kështu, profesionet e lira, hidraulikë të regjistruar, agjenci turistike, dizajnerë që punojnë me printime për llogari të të tretëve, taksixhinjtë, të gjithë këta dhe ndonjë kategori tjetër, do jenë pjesë e zgjerimit të paketës së mbështetjes pa përjashtim, sepse janë biznese të vogla dhe të mbyllura si rezultat i luftës”, u shpreh Rama.

“Dhe po kështu për të gjitha ata që janë punonjës të linjave të transportit urban apo ndërurban dhe faktikisht janë në shtëpi, sepse nuk ka transport, do jenë pjesë e paketës së zgjeruar”, tha ai/-siton ATSH//R-SR//