/5/04/2020/ Pandemia e COVID-19 nuk mund të ndal organizimin e Kala Festival një ndër aktivitetet më madhore që përjeton bregdetit i mrekullueshëm i jugut ku qindra të rinj të huaj dhe shqiptarë shijojnë aventurën verore mes riteve të muzikës dhe mrekullive të peizazhit që ofron Riviera shqiptare.

Organizatorët e Kala Festival kanë lajmëruar shtyrjen e këtij eventi i cili do zhvillohet më 9-16 shtator, ndërsa për të interesuarit që duan të shijojnë këtë festival prenotimet e biletave shtyhen deri në 12 qershor.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi i cili shprehet se, “pandemia nuk na pengon të zhvillojmë aktivitetet, tashmë të kthyera në traditë. Organizatorët e Kala Festival lajmërojnë shtyrjen e datës së evenimenti i cili do të zhvillohet më 9-16 shtator 2020, ndërsa prenotimet e biletave shtyhen deri më 12 qershor. Ky vendim është marrë, pasi është biseduar me autoritet e linjave ajërore si dhe është dakortësuar me artistët”.

Ky festival, përveç atmosferës për adhuruesit e muzikës elektronike, është edhe një promovim i mirë për turizmin e Shqipërisë. Përgjatë ditëve në festival marrin pjesë edhe DJ të famshëm ndërkombëtarë.

Një tjetër qëllim i organizimit të këtij festivali në Shqipëri është edhe promovimi i turizmit dhe kulturës shqiptare në botë, ku gjatë ditëve të tij zhvillohen dhe ekskursione ditore për të eksploruar mrekullitë natyrore të Rivierës shqiptare.

Në 2019 në këtë festival morën pjesë 5 mijë të rinj, jo vetëm nga Britania e Madhe, por edhe nga Zelanda e Re, Australia, Amerika./ATSH/R-SR/