Nga Gjergji MANO

PAS SHËNDETIT MIRË DO ISHTE T’I KTHEHESHIM POLITIKËS
Me sheshimin e kurbës së infektimit dhe një qëndrueshmëri të mospërhapjes së virusit në popullatë, duket se dalëngadalë po i rikthehemi normalitetit. Po fillon liberalizimi i orareve dhe zgjerimi i fashës së bizneseve që rifilluan punën dhe shqetësimi për shëndetin po zëvëndësohet nga një shqetësim edhe më i madh, nga shqetësimi i varfërisë, i nevojave, i falimentit, duke bërë imediate kthimin nga politika si “shprehje e koncentruar e ekonomisë”, edhe pse kafenetë, vendi i preferuar i shqiptarëve për të bërë politikë, vazhdojnë të jenë të mbyllura.
Kur them këtë nënkuptoj nevojën që ka vendi për përfshirjen e qytetarëve në procesin e hartimit të politikave për përballimin e krizës që, me sa duket, do të jetë e thellë dhe e gjatë, por njëherazi edhe në procesin e ridimensionimit të sistemit politik që në këto 30 vjet dështoi në përmbushjen e aspiratave të shqiptarëve për krijimin e një demokracie funksionale, e një shteti ligjor dhe integrimin europian të vendit.
Sepse, siç ka thënë ekonomisti neoklasik amerikan, James Buchanan, i laureuar me çmimin Nobel në vitin 1986, “Për kontributin e tij në teorinë e vendimeve politike dhe teorinë e ekonomisë publike”, ‘…nëse doni të përmirësoni politikën, atëherë ndryshoni rregullat, mënyrën e veprimit dhe strukturën e saj…Mos prisni që politikanët të ndryshojnë vetë sjelljen dhe veprimtarinë e tyre…mos prisni të vetëkorrigjohen. Ata veprojnë vetëm në funksion të interesave të tyre, vetëm në funksion të suksesit elektoral që iu garanton pushtetin.’
Jo për gjë po sot Gjiknuri dhe Hajdari, pasi janë djegur nja tre-katër afate, më i fundit ai i dt.15 mars, folën për një afat të ri për reformën zgjedhore, 30 qershor më duket, dhe ne presim e presim pafundësisht. Ndërkohë që ata e dinë mirë se çfarë duan, ne, ndërsa hamë barin që na ofrojmë, vrasim mendjen jemi apo s’jemi dele!?///