/30/04/2020/ –  Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagoi sot ndaj deklaratës së ministrit Arben Ahmetaj, mbi mbështetjen e qeverisë për kapërcimin e krizës së COVID-19.

“Ministri Ahmetaj, i njohur për aftësitë manipulatore, deklaroi se qeveria ka dhënë ndihmë ekonomike 5.7% të PBB-së. Fondi Monetar Ndërkombëtar sapo ka publikuar raportin ku evidenton se Shqipëria ka dhënë mbështetje ekonomike dhe ushqimore 0.8% të PBB-së, 109 milionë euro, nga të cilat qeveria ka paguar 27 mln euro dhe 9600 pako ushqimore”, tha Tabaku.

“Kjo ndihmë ekonomike që nuk i përafrohet as 1% të PBB-së dhe që është shpërndarë, po aq sa marrin PPP e inceneratorëve, po fshihet paturpësisht me gënjeshtra qeveritare. Deri më tani qeveria që gënjen publikisht i ka vjedhur shqiptarët duke rritur taksat me mbi 50%, duke sajuar taksa për biznesin dhe duke shpikur ulje për oligarkët. Vetëm për këtë vit nga taksat e shqiptarëve oligarkët do të marrin 260 milionë euro përfshirë dhe tenderat korruptivë”, shtoi Tabaku.///