Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu pezulloi menjëherë nga detyra punonjësin e patrullës në Stacionin e Policisë Roskovec, shtetasin A. B.

Sipas një njoftimi për shtyp të Policisë së Shtetit, sot, rreth orës 20:00, ky punonjës policie, jashtë orarit të shërbimit, në afërsi të sheshit qendror të qytetit të Fierit, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta automjetin e shtetasit Xh. O. dhe është konfliktuar fizikisht me të.

“Pas ndërhyrjes së patrullës është bërë shoqërimi i menjëhershëm i shtetasit A. B. në Komisariatin e Policisë Fier dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë së Shtetit, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit dhe SHÇBA-së, po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ndërkohë, bëhet e ditur më tej, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për shkelje të rëndë.//