Policia e Tiranës del me deklaratë lidhur me plagosjen e dy personave mesditën e sotme, ku mbeti i plagosur i shumëkërkuari Orgest Bilbili dhe një kalimtare.

Në vijim të masave të marra dhe kontrolleve kundër përhapjes së koronavirusit,

në rrugën “Sitki Çiço”, në afërsi të një shkolle, punonjësi i policisë së forcës së posaçme “Shqiponjat”, i ka kërkuar një personi, lejen e daljes dhe dokumentin e identifikimit.

Bëhet fjalë për Orgest Bilbili, 30 vjeç, nga Lushnja, i cili e ka kundërshtuar punonjësin e policisë dhe është larguar me vrap në brendësi të lagjes.

Punonjësi i policisë e ka ndjekur dhe gjatë ndjekjes 30-vjeçari i ka drejtuar pistoletën punonjësit të Policisë, duke e kërcënuar për ta vrarë.

Efektivi i policisë i ka bërë thirrje të hedhë armën dhe të dorëzohet, por Orgest Bilbili nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të policisë dhe ka vijuar lëvizjen me pistoletë në dorë.

Në zbatim të procedurës standarde të punës, punonjësi i policisë ka qëlluar njëherë në ajër për ta paralajmëruar, ndërkohë që 30-vjeçari i ka drejtuar armën, për të qëlluar punonjësin e Policisë.

Në këto rrethana punonjësi i policisë, i gjendur në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, ka qëlluar në drejtim të 30-vjeçarit, duke e plagosur atë.

Fatkeqësisht, është plagosur jashtë rrezikut për jetën edhe shtetasja M. P., rreth 30 vjeçe, kalimtare e rastit.

Nga verifikimet e bëra rezulton se Bilbil ishte person i shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda kundër personit në qytetin e Lushnjës.

Gjithashtu i dënuar dhe me 7 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”.

Aktualisht 30-vjeçari është arrestuar dhe ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, paraprakisht jashtë rrezikut për jetën.

Në lidhje me ngjarjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Policia e Shtetit i uron shërim të shpejtë shtetases M. P. dhe garanton opinion publik se është e vendosur të përballet me cilindo që shkel ligjin e aq më tepër guxon të godasë punonjësit e Policisë./R-SR//