Nga Lorenc Vangjeli

Ka ngjallur hutim të madh rishpikja e rradhës e fabulës së vjetër mbi marrëveshjen e mundshme Rama-Meta. Eshtë pak a shumë i njëjti variacion i fabulës pak më të repër marrëveshje të mundshme mes shefit të qeverisë dhe kryetarit të opozitës. Palët e përfshira, Rama në një anë dhe dy “partnerët” e tij sezonalë në anën e tjetër, e kanë mohuar vazhdimisht këtë mundësi. Herë të tjera kanë lënë të kuptohet që mbas mohimit direkt, ka një pranim indirekt të faktit se marrëveshja mund të ndodhë. Ky karusel që vazhdon dhe kësaj here, si përherë, i ka dhënë pak “sharm” politik monotonisë së luftës pa pushkë të ushtrisë së madhe të qytetarëve.

Rama e Meta kanë një histori të gjatë dashurie e urrejtjeje dhe një ndryshim ekstrem të shikimit të njëri-tjetrit në këto dy dekadat e fundit, aq sa as vetë nuk e mbajnë mend për çdo herë se pse janë afruar dhe as nuk e kujtojnë më se pse janë larguar. Me Bashën ka qenë pak më ndryshe. Rama e Basha kanë pasur një afrim gjysëm të fshehtë që në vjeshtën e largët të 2014-ës, atëherë kur e majta qeveriste e bashkuar. Më pas patën një “dashuri” me takim të parë, si dy adoleshentë që ja mbathin nga shtëpia e prindërve, në majin e 2017-ës. Drama e Bashës dhe rikthimi me pendesë në “shtëpinë e Babës”, është një nga ato çelësa psikologjikë për të shpjeguar sjelljen kaotike të opozitës në tërësi dhe të kryetarit të saj në veçanti, në gjithë këtë periudhë.

Debati i sotëm për afrimin e mundshëm të kryeministrit dhe presidentit është rasti klasik që shpjegon sesi anormaliteti i përditshmërisë sonë është shndërruar në normalitet dhe anasjelltas. Që çdo akt e veprim normal ngjan si anormal pikërisht për shkak të sfondit anormal ku zhvillohet politika shqiptare. Firma e Metës për ndryshimet në Kodin Penal është një akt tërësisht i thjeshtë. Eshtë firma e duhur në letrën e duhur. Që më shumë sesa vlerë e mirëfilltë juridike, ajo është armë psikologjike për të dirigjuar sjellje të çekuilibruara individësh në kohë pandemie. As nuk mundet dhe as nuk do të mbushen burgjet me njerëz që shkelin rregullat e lëvizjes gjatë pandemisë, që transmetojnë me vullnet apo nga pakujdesia virusin, por thjesht u mboll një virus frike ndaj kësaj kategorie njerëzish. Ndaj kush e reklamon si shpëtim një akt të tillë dhe kush e quan si rrënim të njëjtën gjë, me të gjitha gjasat, është shumë larg të vërtetës. Të dy palët do ta harrojnë shumë shpejt këtë motiv lufte në kohën e luftës me pandeminë.

Asgjë nuk do të ndryshonte në Tiranë qoftë nga pohimi, qoftë nga mohimi presidencial mbi ndryshimet e kodit. Nëse Meta nuk dekretonte ndryshimet në Kod, Rama thjesht do t’i shtonte një element më shumë diskutimit të tij publik për t’u rishfaqur edhe njëherë si njeriu që i duhet jo vetëm të shpëtojë Shqipërinë nga hallet, por dhe që duhet shpëtuar nga Meta e të tjerët që nuk e lenë të qetë në rolin e tij të shpëtimtarit. Presidenti e di që nuk ka një 2 mars tjetër për një mijë e një arsye. Asgjë nuk përsëritet në të njëjtën formë. Meta e di më mirë se të tjerët se ka beteja që fitohen duke u shmangur! Dhe se ka shkaqe lufte, të cilat kompromentohen pikërisht nga lloji i armëve që përdoren.

Të dy së bashku ata kanë nevojë në këtë moment për njëri-tjetrit për të qenë larg. Të dy së bashku e dinë që komisioni hetimor është vetëm një teatër gjysëm qesharak për budallenjtë e ngeshëm. Gënjen e tall ata që ju duket e mençur paqyra vetëm kur i dalin përballë për t’u krehur edhe në kohë pandemie. Për ta thënë ndryshe: njeriu më i painteresuar për shkarkimin e Metës si president, dje dhe sot, sot dhe nesër është Edi Rama. Dhe njeriu që më i interesuar që të vazhdojë edhe më tej kjo farsë, është Ilir Meta.  

Nëse këtyre dy personazheve kyçë të historisë së vendit ju duhet të afrohen, do ta bëjnë shumë më thjeshtë sesa mendohet. Madje edhe pa ndjesë e pa shumë shpjegime. Një nga mëkatet thelbësorë të politikanëve shqiptarë është se janë të paparashikueshëm. Sepse në veprimet dhe raportet mes tyre ato nuk udhëhiqen nga norma të qëndrueshme morali, por nga llogari të përkohshme interesi. Nga ky këndvështirm, marrëdhëniet e Kryeministrit dhe Presidentit nuk janë marrëdhënie thjesht njerëzore. Ato janë marrëdhënie interesi dhe pushteti. Rama dhe Meta, në çdo rast që interesi i pushtetit do t’iu kërkojë të sillen ndryshe, do ta detyrojnë në çast Edin dhe Ilirin që të ribëhen bashkë. Ata janë kuzhinierë të ngjalave. Klientët që i hanë ato janë të tjerët.

Firma e Metës në dekret dhe ca komplimente nga larg të Ramës për Metën, ishte plotësisht e mjaftushme që ata që e brohorisnin deri dje Metën si heroin e luftës kundër uzurpatorit në qeveri, t’i veshin në çast mantelin e tradhëtarit.

Kritikët e të dy palëve u llahtarisën pikërisht nga kjo gjë: po bëhet politikë normale. Të gjithë ata që duan sherr dhe ulërima, të gjithë ata që nuk e dinë se injoranca vetëm bërtet, ata që varësisht ngjyrës politike që preferojnë, sugjerojnë se i mirë është luftëtari i llogores dhe jo bashkëbiseduesi, instiktivisht kuptojnë një gjë të thjeshtë: pikërisht paqja dhe toni i ulët, dialogu dhe jo armiqësia, janë kritere normale të politikës. Normaliteti i nxjerr jashtë loje dhe ju ul vlerën vetjake siç nuk e ngrenë atë, dinjitetin domethënë, b..kët e k..rvës.

Nesër mund të ndodhë gjithçka. Tre personazhet e vijës së parë të plitikës shqiptare, Rama, Meta e Basha mund të bëjnë kombinime gjithëfarësh mes tyre. Dy kundë njërit, por nuk është çudi të jenë edhe të tre bashkë nëse ashtu i dikton interesi i tyre. Atëherë kritikëve sezonale të tyre do t’ju duhet ta bëjnë supë pështymën e tyre dhe ta hanë mbasi ta kenë ngrohur sërish. Ndërsa publiku, do të hyjë në stinën e mërzitshme të monotonisë, në pritje që të gjejë sharm vetëm në sherr.

Parashikimi i vetëm për atë që ka gjasa të ndodhë, është që askush të mos vejë asnjë bast për parashikimin. Askush nuk mund ta zgjidhë këtë rebus të së ardhmes edhe nëse Rama do të ishte në këtë rast Abraham Linkolni, siç do t’i pëlqente ta shihnin, edhe nëse Meta do të ishte Sharl de Goli, siç do të kishte qejf ta shikonin apo nëse Lulzim Basha do të vazhdonte të ishte Lulzim Basha. Njeriu që fati i dha gjithçka në jetë, por duke i mohuar zyrën kryeministrore, duhet të rishpikë veten. Lulzim Basha i mundi të gjithë në 2005 sepse bëri diferencën me buzëqeshje me partinë e tij të ngrysur e gjithë kohës me nerva si një grua në menopauzë. Ai humbi në momentin kur mendoi të ngrysej për t’i ngjarë portretit të vjetër të PD-së, pa kuptuar se fati ndihmon vetëm të fortët dhe rruga drejt tij shkon vetëm nëpërmjet kalvarit të sakrificës dhe durimit të pritjes. Si në ato luftrat që fitohen duke i shmangur.