Kryeministri Edi Rama i drejtoi sot një urim të gjithë besimtarëve muslimanë për muajin e Ramazanit dhe një falënderim të megjithëzemërt klerit shqiptar e të gjithë besimtarëve të vendit tonë pa dallim.

Rama tha se “ky është momenti për ta falënderuar, një mijë herë nga zemra, klerin shqiptar e besimtarët e mësuar të mësyjnë tempujt në kohën e këtyre trokitjeve, për vetëdijen e lartë e për vendimin e dhimbshëm, po të fortë e të drejtë, për të mos u shkëputur nga zinxhiri i rezistencës sonë kombëtare, duke e lartësuar e jo turpëruar Zotin e tyre me mbajtjen kyçur të tempujve”.

“Si në kohërat kur zbritej në katakombe apo gjendej prehje veç në oazet e Hixhazit, kleri shqiptar nuk iu përgjigj me karshillëkun e mendjes së mbyllur, por me njerëzillëkun e zemrës së hapur, nevojës jetike të popullit e të Shqipërisë për të mos i hapur shtigje armikut të padukshëm, duke u mbledhur në emër te Zotit mu siç i duhet armikut të padukshëm për te na prerë e për të vrarë”, tha Rama.

Ai theksoi se “me maturi e mirëkuptim në Zot e në shkencë, tempujt e u zëvendësuan me kishën shtëpiake, me mesxhidin e familjes, me teqenë e zemrës në lutjen sa vetmitare aq edhe universale të besimtarëve në profetë të ndryshëm, me Zotin e njëjtë”.

Falë kësaj mençurie në vendimmarrjen e klerit shqiptar, ai tha se “tempuj sot të kyçur, do të rihapen nesër pa asnjë njollë gabimi njerëzor e asnjë gisht të njerëzve të Zotit në punët e liga të armikut padukshëm”.

“Sepse ditët e mira, paskëtaj vinë. Dhe kjo që beri kleri shqiptar, do t’u mësojë edhe atyre që s’besojnë në Zot, se nga shtëpitë e Zotit këtu në Shqipëri vjen veç e mira edhe për ta, sepse kleri i këtij vendi e sheh dhe e do popullin shqiptar si një i tërë, mu si Zotin vetë mbi tokën ku sot ne banojmë përkohësisht”, tha Rama.

“Mund ta them me plot gojë të dashur miq e vëllezër klerikë, se sot ju jeni një shembull rrezatues e motivues për gjithë shoqërinë dhe se e gjithë shoqëria, çdo individ i kësaj shoqërie, duhet ta marre shembullin tuaj e ta bëj të vetin, duke i respektuar pa dëngla e as qurravitje, siç bëtë edhe ju, rregullat e kësaj lufte botërore me armikun e padukshëm. Sepse shëndeti është mbi të gjitha, e mbi gjithçka jeta e secilit lidhet me shëndetin, me zemrën e me mendjen dhe pastaj, patjetër edhe me stomakun”, vijoi ai.

Rama tha se “kështu, të gjithë së bashku, besimtarë apo jo, si njerëz të arsyeshëm e të durueshëm, ne do t’ia dalim deri në fund kësaj lufte dhe Shqipëria që sot varet në jetë e në shëndet nga vendimet e veprimet e çdonjërit prej nesh, i madh a i vogël, i pasur a i varfër, i moshuar a i ri, nuk do të turpërohet nga vdekjet që mund të shmangen e nga plagët që mund të lehtësohen, falë forcës së durimit e të bashkimit tonë”.