Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini u shpreh këtë të martë se “plani ynë është t’i hapim shkollat e mesme dhe një pjesë të shkollave 9-vjeçare, edhe këto për maturantët më 18 maj”.

Në një intervistë televizive, Shahini tha se “nuk kemi mundësi t’i kthejmë të gjithë nxënësit nëpër shkolla ngaqë kemi një numër të madh nxënësish dhe një pjesë e shkollave funksionon me 2 turne, që nuk na mundëson ne të marrim masa për sigurinë e shëndetit të nxënësve dhe mësuesve”.

“Vendosëm të hapim pjesërisht shkollat për maturantët duke i distancuar ata sa më shumë, duke mos patur më shumë se 10, 12 nxënës në klasë dhe duke qëndruar sa më pak në ambientet e shkollës vetëm për të bërë konsultimet për provimin e maturës dhe jo për mësimet e zakonshme. Ky është plani që po përgatitemi tani që më 18 maj të kthejmë maturantët në shkolla. Vendimi është për të gjithë vendin”, u shpreh Shahini.

Më tej, ajo shtoi se “duke zbatuar në mënyrë strikte rregullat e higjienës dhe distancimit social nëpër shkolla ne mendojmë se mund të sigurojmë shëndetin e nxënësve dhe mësuesve pa marrë parasysh në çfarë zone gjenden ata”.

“Duke siguruar që në secilën klasë të mos ketë më shumë se 10, 12 nxënës me hyrje-daljet e kontrolluara. Nxënësit duhet te jenë të pajisur me maska, duhet të bëhet higjienizimi i ambienteve shpesh, pra korridoreve, tualeteve dhe gjithmonë edhe pastrimi i bankave dhe karrigeve në fund të ditës dhe nuk punohet me turne”, theksoi ministrja.

Sipas Shahinit, përdorimi i maskave do të jetë i detyrueshëm. Po përpiqemi që t”iu gjejmë ne maskat nxnësve, t”ua ofrojmë ne maskat atyre. Po bëjmë përpjekje maksimale që kushtet sanitare dhe higjienën për mbrojtje ti sigyrojmë ne si ministri.

“Kemi edhe 4 javë që ta mbyllim të gjithë procesin mësimor dhe në verë do marrim vendimin nëse viti shkollor vitin tjetër fillon më herët apo në mes të shtatorit si zakonisht. Ajo çfarë kemi vendosur është që vitin tjetër shkollor, planprogramet që zakonisht zhvillohen për secilën shkollë ndaras dhe për tema të ndryshme në javë të ndryshme, këtë nuk do e lëmë në dorë të shkollave. Do e centralizojmë, do të bëjmë planifikimin e temave se kur zhvillohen ato në nivel qendror që të kemi mundësi leksionet  të vazhdojmë t’i japim në RTSH, për të gjithë nxënësit në të njëjtën kohë. Pra, nxënës të ndryshëm që punojnë me libra të ndryshëm por natyrisht që të gjithë prekin të njëjtat tema, tani do e centralizojmë edhe orarin se kur trajtohen këto tema, që të mos mbërrijmë në pikën ku disa nxënës kanë bërë disa tema me libra të tjerë, të tjerë kanë bërë tema të tjera. Pra, e kemi centralizuar procesin për vitin tjetër shkollor në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi të bëjnë edhe leksionet në RTSH që do të vazhdojnë, duke zgjeruar gamën që mbulojmë por edhe për të vazhduar punën e tyrë nëpër shkolla”, u shpreh Shahini. ///