Nga Genci Demiraj

Sharlatanët… Është dhënë sakt në fjalorin shqip kuptimi i fjalës sharlatan: “njeri me dije të pakta dhe të cekëta, që përpiqet të mashtrojë të tjerët duke u hequr si i ditur dhe i zoti” ose më shkurt, një mashtrues i paturpshëm. Të njëjtin kuptim ka edhe në shpjegues enciklopedikë të tjerë si anglez, francez apo italianë, pra ndërkombëtarizimi është i njëjtë për sharlatanët dhe sharlatanizmin: mashtruesa.

I ka hasur njerëzimi, këta tipa prej kohësh por në situata të veçanta dhe të turbullta shoqërore këta marrin frenat e ligjëruesve “kompetentë”, për protagonizëm e vëmendje duke helmatisur dhe çoroditur dynjanë me fake informacionesh, teorish, zbulimesh apo marrinash që vetëm karakteri dhe psiqika e tyre fake, mund ta prodhojë. Sot po i hasim përditë, kudo, nëpër të gjitha mediat dhe rrjete sociale, të vënë në garë me absurdin e gjenialitetit të tyre dhe fantazitë gjitho-informuese pasojë edhe e pjellorisë së tyre psikomotore! Dikush të mahnit me konspiracionet fatale! Dikush tjetër me teoritë masonike e iluminike!

Një tjetër me dominimin matematikor mbi efektin definues të pandemisë! Yyyyy. Disa të tjerë si më socialë e më praktikë, të flasin për efektet çudibërëse të disa pemëve, bimëve, luleve, barishteve, gjëmbaçëve, vajrave, ujërave, çajrave, kripërave, gurëve, metaleve, hipnozën dhe syrin e keq, kafenë dhe llumin e saj apo gjer tek jashtëqitjet e bajgat e kalit! Eh shyqyr i qoftë, me bollëkun e sharlatanëve dhe sharlatanizmin , që na e mundësojnë ta kalojmë edhe me pak gaz e buzëqeshje, këtë kohë të vështirë të këtij karantinimi global. Frikë Jo, por kujdes  po sidomos edhe ndaj sharlatanëve.///